Vetëm ai dhe Tiago Silva mbijetuan nga Milani kampion i Alegrit, ish-sulmuesi i Tiranës nis sfidën e re në futbollin italian
Masimiliano Alegri është kthyer pas shumë kohësh te Milani me objektivin për të shpallur edhe një herë kampion kuqezinjtë, siç bënte në vitin e largët 2011. Që atëherë ka kaluar shumë kohë, aq sa janë të pakët ata futbollistë që vishnin fanellën kuqezi atëherë të cilët vazhdojnë ende të luajnë që nga ajo periudhë.

Ai më i famshmi që ka mbetur ende në qarkullim është Tiago Silva, i cili ka shkëlqyer edhe me Fluminensen në Botërorin e Klubeve. Ai më pak i njohuri, ka një të kaluar edhe në futbollin shqiptar. Quhet Namdi Oduamadi dhe për ata që nuk e dinë, ka qenë sulmuesi i Tiranës në sezonin 2018-2019.

Anësori i sulmit të Nigerisë ishte pjesë e ekipit të të rinjve të Milanit në atë sezon dhe luajti vetëm një ndeshje nën urdhrat e Alegrit në Serinë A, aq sa i mjaftoi për t’u cilësuar kampion i Italisë. Më pas për të nisi një rrugëtim i gjatë mes huazimesh në skuadra të tjera, pa shumë sukses, derisa mbërriti te Tirana në verën e vitit 2018.
Edhe eksperienca shqiptare nuk ishte ndër më brilantet, e mbyllur me vetëm 13 ndeshje e një gol me fanellën bardhekaltër në të gjitha kompeticionet, për shkak dëmtimesh, për t’i dhënë më pas lamtumirën pa shumë buje vendit tonë. Ai u kthye të luante në kategoritë e ulëta italiane ku ka bërë emër në këto vite dhe pak ditë më parë gjeti strehën e tij të re atje.

Tashëm 34-vjeçar, Oduamadi është prezantuar te Rieti në kampionatin e Serisë D në Itali, me objektivin për të ngjitur këtë skuadër më lart. E ndoshta për të bërë një mbyllje më të bukur të karrierës së tij që dikur e shihte tek luante edhe me fanellën e përfaqësueses së Nigerisë.
PANORAMASPORT.AL













