Vetëm 4 gola në 16 javë, Bylisi një “bunker”. 6 muaj pa humbje dhe me sulm të frikshëm
Bylisi është aq pranë rikthimit në Kategorinë Superiore. Prej javësh ka blinduar kreun dhe po marshon drejt elitës. E megjithatë, që misioni të realizohet me sukses, duhet që të lënë pas vetës Besën rivale, e cila vazhdon të ushtrojë presion (me vetëm tre pikë më pak).

Ballshiotët besojnë se ky do të jetë viti i tyre. Dhe në fakt, shifrat dëshmojnë se skuadra e drejtuar prej Veljko Dovedan është realisht e frikshme. Jo vetëm që nuk humbasin prej 6 muajsh radhazi, por janë kthyer në një “bunker” të vërtetë edhe në prapavijë. Sezonin e nisën me luhatje, por në 16 ndeshje rresht nuk e njohin disfatën (të fundit herë janë mundur 2-0 prej Besës në javën e 4-t, konkretisht më 30 shtator 2018).
Por nuk mbetet me kaq, pasi gjatë kësaj kohe janë ndëshkuar me vetëm 4 gola. Me një mbrojtje që ofron kaq shumë siguri, pa dyshim që edhe sulmi është më i çliruar, pasi në këtë hark kohor kanë realizuar plot 32 gola nga 34 që kanë në total prej 20 javësh të zhvilluara. Me 14 fitore të siguruara dhe 2 barazime që prej shtatorit, kanë thyer një rekord për këtë edicion të Kategorinë së Parë.
SULMUESI – Kevin Aliaj, i afruar në janar te Bylisi, për 3 vite e gjysmë do mbrojë ngjyrat e ekipit të qytetit të tij. Pasi është formuar në akademi të njohura në Bruksel, ka zgjedhur Ballshin për t’u promovuar. Në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi 19-vjeçar shprehet i lumtur për këtë eksperiencë të re.
“Jam më shumë se i lumtur këtu. Kam gjetur një ambient të mirë dhe me profesionalizëm. Stërvitem me skuadrën e parë nga një staf i përkushtuar. Po luaj edhe me skuadrën U19, duke qenë se kam moshën dhe më ndihmon që të marr minuta. Bylisi është shtëpia ime. Unë dua që ta ndihmoj ekipin që të ngjitet në Superiore. Më vjen mirë që në skuadër po afrohen edhe lojtarë nga Ballshi, sepse po rikthejmë traditën. Kampionati është i fortë, por unë kam besim se do t’ia dalim. Ndaj Egnatias nuk do të falim, marrim trepikëshin dhe ruajmë diferencën me kundërshtarët”, tha sulmuesi me perspektivë, Kevin Aliaj
ERJON SALIU













