Vera më i aktivizuari, Tabeku ‘bomberi’ i Tiranës. Ja bardheblutë që mbajtën peshën gjatë gjithë sezonit
Në fund të sezonit, Tirana e mbylli një kampionat të gjatë dhe intensiv, ku u pa qartë se skuadra është mbështetur në një bërthamë lojtarësh kryesorë, por njëkohësisht ka përdorur edhe një rotacion të gjerë gjatë gjithë vitit. Shifrat e minutave dhe ndeshjeve tregojnë një ekip me disa pika të forta të qëndrueshme, por edhe me lëvizje të shumta në formacion.
MË I AKTIVIZUARI – Lojtari më i aktivizuar i sezonit ka qenë mbrojtësi i djathtë Luçiano Vera, i cili ka qenë praktikisht i pazëvendësueshëm në formacionin titullar. Me 38 ndeshje dhe mbi 3200 minuta lojë, ai ka dhënë stabilitet në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke qenë një nga figurat më të besuara të sezonit për trajnerin. Konstanca e tij tregon një lojtar që ka mbajtur peshën kryesore të repartit defensiv gjatë gjithë kampionatit. Menjëherë pas tij vjen sulmuesi i krahut Serxh Tabeku.
PORTA – Në portë, situata ka qenë e ndarë mes dy portierëve, ku Angelo Tafas ka qenë më i aktivizuari me 32 ndeshje dhe mbi 2100 minuta, duke qenë zgjedhje kryesore për një pjesë të madhe të sezonit. Ndërkohë, Visar Bekaj ka marrë gjithashtu minuta të rëndësishme, duke e mbajtur konkurrencën të hapur në këtë repart.
MBROJTJA – Në qendër të mbrojtjes dhe në prapavijë, Tirana ka përdorur disa lojtarë me rotacion. Kleandro Lleshi ka qenë një nga më të përdorurit në këtë repart me mbi 2100 minuta. Po ashtu, Diar Halili dhe Anton Kresiç kanë pasur rol të rëndësishëm në rotacion, duke mbuluar mungesat dhe duke ruajtur balancën defensive gjatë sezonit.
MESFUSHA – Braziliani Rafael ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm dhe më të përdorur të sezonit. Me 35 ndeshje dhe mbi 2900 minuta, ai ka shërbyer si një “motor” në mesfushën mbrojtëse, duke balancuar lojën mes fazës defensive dhe ndërtimit të aksioneve.
SULMI – Në repartin ofensiv dhe krahët e sulmit, Rimal Haxhiu ka qenë një tjetër lojtar shumë i përdorur, me 34 ndeshje dhe mbi 2300 minuta. Ai ka qenë një alternativë e rëndësishme në krahun e djathtë, duke sjellë shpejtësi dhe punë të madhe në fazën pa top. Edhe pse kontributi i tij në gola është më i ulët, roli i tij në ekuilibrin e skuadrës ka qenë i dukshëm. Në repartin ofensiv, përveç Tabekut dhe Haxhiut, kontribut kanë dhënë edhe lojtarë si Redon Xhixha dhe Donat Mehmeti, të cilët kanë pasur minuta dhe gola të rëndësishëm në momente të ndryshme të sezonit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













