Vendi i parafundit nuk është rastësi, Partizani me sulmin dhe mbrojtjen më të dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2025 | 19:06

Vendi i parafundit nuk është rastësi, Partizani me sulmin dhe mbrojtjen më të dobët

Partizani në vendin e parafundit nuk mund të quhet tashmë rastësi. Kjo për shkak se në përfundim të gjashtë javëve, çdo statistikë është kundër ekipit të kuq. Me vetëm 4 pikë të grumbulluara, nuk mund të ishte parashikuar start më i keq.

partizani

Katër humbje radhazi, po aq sa edhe Flamurtari, ndërsa askush nuk ka bërë më keq. Pushimi për shkak të kombëtareve, mund të shikohet si shpresë. Të kuqtë kanë rikuperuar plotësisht disa lojtarë.

GOLAVARAZHI- Partizani mund të konsiderohet një zhgënjim deri tani. Nga fillimi i sezonit në Europë dhe tashmë dy muaj nga kampionati, është regjistruar vetëm fitorja me Vorën. Tre gola të shënuar në kampionat ku një prej tyre erdhi nga penalltia, ndërsa një tjetër ishte me autogol. Askush nuk ka shënuar po kaq, apo më pak. Tashmë shqetësues është edhe pësimi i golave.

Nuk kujtohet hera e fundit, kur Partizani në katër ndeshje radhazi ka pësuar 11 gola. Pas dy javëve të para me portën e paprekur, mbrojtja si pika më e fortë e të kuqve u kthye po ashtu në dobësi. Asnjë skuadër tjetër nuk ka pësuar kaq gola në këtë edicion të Superiore. Duke bërë bashkë këto dy statistika, si më negativet e kampionatit, është edhe golavarazhi -8. Mjaft shqetësues për gjendjen aktuale ku mbetet për t’u parë, si ekipi mund të reagojë.

PANORAMASPORT.AL