U rrëzua gjatë Xhiros në Tiranë, Mikel Landa përfundon sërish KO
Në etapën e dytë të Itzulias, rreth 10 kilometra para mbërritjes, Mikel Landa përfundoi në tokë gjatë zbritjes së San Miguel de Aralar, në një rrëzim të fortë që e la të shtrirë mbi asfalt. Çiklisti 36- vjeçar spanjoll, i cili ankohej për dhimbje në anën e djathtë të trupit, mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor të organizatorëve.

Pavarësisht pamjeve shqetësuese fillestare, Landa arriti të përfundojë etapën. Tani mbetet për t’u parë nëse do të ketë pasoja dhe nëse do të jetë në gjendje të nisë etapën e tretë. Fati i keq vazhdon ta ndjekë Landën, i cili pësoi një rrëzim të rëndës dhe në etapën e parë të Xhiros së Italisë 2025 në Tiranë.
Pesë kilometra para fundit, ai pësoi një rrëzim të fortë gjatë zbritjes në zonën e Freskut, rrëzim që e detyroi të tërhiqej nga gara me ambulancë, duke i dhënë fund objektivit të tij kryesor për sezonin. Po ashtu, në vitin 2024 ai përjetoi një tjetër moment të hidhur gjatë “Vuelta al Pais Vasco”, ku u transportua në spital me ambulancë pas një rrëzimi të rëndë në etapën e pestë, duke u detyruar të braktisë garën.
PANORAMASPORT.AL













