Trukimet në Shqipëri, zbardhen dëshmitë e lojtarëve: E lamë ndeshjen sepse nuk ishim paguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2019 | 22:03

Trukimet në Shqipëri, zbardhen dëshmitë e lojtarëve: E lamë ndeshjen sepse nuk ishim paguar

Komisioni i Etikës në FSHF, është vënë në lëvizje pas disa ndeshjeve të dyshuara si të trukuara në Shqipëri, dhe pas paraqitjes në zyrat e Federatës të disa lojtarëve dhe drejtuesve, për të raportuar më këtë çështje, kanë dalë edhe deklaratat e para.

etika10

“Top Channel” ka publikuar një prej dëshmive të futbollistëve të Besës, e cila bën fjalë për takimin mes Egnatias dhe klubit kavajas, ku rezultati shkoi nga 2-0 për ekipin vendas, në 2-3 për Besën.

“Ishim të papaguar dhe në formë proteste kishim vendosur të mos luanim. Nuk kishim qëllime për të shitur ndeshjen, apo luajtur baste”, thuhet në deponimet e futbollistëve të Egnatias.

“Kishim mësuar që lojtarët e Egnatias kishin vendosur të mos impenjoheshin në atë ndeshje dhe për këtë arsye e morëm më lehtë se ç’duhet, prandaj u gjendëm në disavantazh 2-0 në pjesën e parë”, thuhet në deponimet e lojtarëve të Besës. “Ndërkohë, në të dytën u mobilizuam dhe arritëm ta kthejmë rezultatin”.

Protesta e lojtarëve të Egnatias mund të ketë shërbyer si një skenar përfitimi nga persona të caktuar, duke pasur dyshime të forta se kjo ndeshje është trukuar. Gjithsesi, kjo dhe disa ndeshje të tjera, përfshirë edhe ato të Kupës së Shqipërisë me skuadra të Superiores janë në fazën e hetimeve përfundimtare, nga ku priten dënime.