Trashit iu komunikua largimi me “SMS”, futbollisti pret shkresën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2026 | 13:22

Trashit iu komunikua largimi me “SMS”, futbollisti pret shkresën

Lorenc Trashit i komunikohet largimi zyrtar me një mesazh në telefon. “Panorama Sport”, mëson se me urdhër të presidentit Sinan Idrizi, sekretari i përgjithshëm i klubit, Alfred Ferko i ka dërguar kapitenit të dielën një mesazh teksa i shkruan të mos paraqitej në stërvitje pasi nuk ishte më pjesë e Flamurtarit.TRASHI

“Sot mos hajde në stërvitje. Nuk je më pjesë e Flamurtarit”. Ky ishte mesazhi që Ferko i dërgoi Trashit. Ndërkaq vetë kapiteni ka thyer heshtjen dhe ka folur për “Top Channel”. Mbrojtësi theksoi se po pret përjashtimin nga ekipi me dokument zyrtar, ndërsa reagimi do ta bëjë në një moment tjetër. Trashi paralajmëron se për akuzat që klubi ka ngritur ndaj tij do t’i drejtohet gjykatës.

“Për momentin, nuk do të komentoj më gjatë. Po pres të marr përjashtimin apo shkarkimin me dokument zyrtar nga ana e klubit. Dua të ndaj rrugët zyrtarisht me klubin dhe më pas do të vijoj me hapat e tjerë juridikë. Çështja do të shkojë në gjyq për akuzat e ngritura ndaj meje. Për këtë arsye, nuk do të komentoj më tej në këtë fazë. Versionin tim të plotë dhe rrëfimin për atë çka ka ndodhur realisht do ta bëj publik në një moment të dytë, kur gjithçka të jetë zyrtarizuar”, deklaroi Trashi.

LARGIMI QË DOBËSON – Flamurtari vendosi që të përjashtojë Lorenc Trashin, pasi pretendon se shkaktoi me dashje penalltinë që i dha fitoren Bylisit në fund të ndeshjes. Por largimi i tij pritet të ndihet shumë nga skuadra në fushën e lojës. Trashi ishte si referim te kuqezinjtë, sa u përket krosimeve. Ishte pikërisht futbollisti që asistoi për Bintsukën, që të kthehej baraspesha në minutën e 94-t. Më pas shkaktoi penalltinë dhe u largua me karton të kuq. Përjashtimi i Lorenc Trashit me siguri do t’i prishë punë edhe Bintsukës. Sulmuesi nga Kongo ka nevojë për krosime, që të jetë sa më i rrezikshëm në zonën kundërshtare.

Bintsuka ndërkohë i ka golat me kokë si pikë të fortë. Çudia është se kapiteni rezulton të jetë lojtari më i vlerësuar i Flamurtarit, sipas statistikave të “Sofascore” për këtë sezon. Nota e tij mesatare është 7.30, ndërsa me 7.31 qëndron Fernando i Egnatias dhe me 7.51 është Dejvi Bregu në krye të listës. Për të gjetur sërish një pjesëtar të Flamurtarit në këtë listë, duhet të kalojnë 20 lojtarë. Igor Aleksovski me 7.06 dhe Erald Maksuti me notën mesatare 7.03 janë ndjekësit e Trashit nga Flamurtari.

E. SIKA-PANORAMASPORT.AL