Transferta e mbijetesës, Bylisi udhëton “i fashuar”. Josa me lojtarët e U19 ndaj Tiranës
Në Ballsh, e gjithë vëmendja e skuadrës është fokusuar te transferta e së shtunës me Tiranën, ndërsa stafi mjekësor po punon intensivisht për rikuperimin e lojtarëve.

Bylisi përballet me një sfidë delikate, ndërsa trajneri Josua po planifikon lëvizje në skuadër për të zëvendësuar futbollistët që nuk do të jenë në dispozicion. Në ndeshjen e kontrollit të ditës së djeshme, disa lojtarë u provuan, dhe pritet që edhe sot të ketë teste të tjera me skuadrën e ndarë në dy grupe për të përcaktuar më mirë 11-shen titullare.
Ballshiotët kanë gjashtë mungesa për shkak të dëmtimeve, që prekin çdo repart të skuadrës. Josa po eksperimenton kryesisht në mbrojtje dhe mesfushë për të gjetur zëvendësuesit e lojtarëve si Marku, Bruno, Koxhi dhe Përgjoni. Përveç tyre, 2-3 futbollistë të tjerë kanë shqetësime të vogla fizike, por janë pjesë e grupit dhe gjendja e tyre do të vlerësohet para ndeshjes.
Bylisi synon të vazhdojë ecurinë pozitive, por me kaq shumë mungesa, transferta ndaj Tiranës duket si një sfidë e vështirë për mallakastriotët. Faza e katërt, që konsiderohet determinante për sezonin, gjen skuadrën në pozita aspak të favorshme, pasi duhet të thellojë diferencën me dy vendet e fundit që çojnë direkt në Kategorinë e Parë. Moral të lartë jep mbyllja e mirë e fazës së tretë, ku Bylisi grumbulloi 7 pikë në tri ndeshje të forta, por faza e katërt nis me dy ndeshje ndaj rivalëve direkt si Tirana dhe Flamurtari, që do të jenë shumë të vështira.
PRANIA E TË RINJVE – Edhe pse skuadra ishte aktive në merkaton e janarit, gjashtë mungesa të rëndësishme kanë krijuar boshllëqe që janë plotësuar me futbollistë nga ekipi U-19, si Adepoju dhe Bahaj, të cilët u aktivizuan edhe në sfidën me Vorën. Me shumë gjasa, përballë Tiranës, trajneri Josa do të thërrasë përsëri lojtarë të rinj nga ekipi B dhe U-19 për të plotësuar formacionin.
Në nëntë javët e mbetura të kampionatit, ballshiotët shpresojnë të kenë fat dhe të shmangin episodet e pakëndshme me gjykimet, të cilat herë pas here kanë ndikuar në rezultatet e skuadrës. Me vetëm dy ditë larg sfidës me bardheblutë, që luhet të shtunën në orën 15:00 në “Selman Stërmasi”, mallakastriotët janë grumbulluar dhe lojtarët po zbatojnë me përpikmëri detyrat e Josës.
Përballja ndaj ish-skuadrës pritet të jetë një test i vështirë, ku Bylisi duhet të tregojë karakter dhe përqendrim maksimal për të marrë rezultat pozitiv në një nga ndeshjet më të vështira të sezonit. Situata e dëmtimeve dhe mungesave e bën sfidën edhe më sfiduese për mallakastriotët, por stafi teknik dhe grupi janë të vendosur të japin maksimumin për të mos humbur hapin në luftën për mbijetesë dhe për të ruajtur moralin e skuadrës në fazën më kritike të kampionatit.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













