Trajneri Gega flet për sulmuesin: Skuka i mirëpritur te Partizani, por në versionin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2025 | 9:08

Trajneri Gega flet për sulmuesin: Skuka i mirëpritur te Partizani, por në versionin…

Me rikthimin në fushë, Partizani ka nisur edhe lëvizjet e para në merkato. Në klubin e kuq aktualisht janë në negociata me disa lojtarë, teksa herë pas here, si çdo verë, qarkullojnë zëra për afrime të mundshme të ish-lojtarëve.gegaI pari që u vendos në listën e të kuqve ishte Xhuliano Skuka, një nga sulmuesit më të fortë që ka luajtur në vitet e fundit te Partizani, por që prej dy vitesh ka hasur vështirësi të mëdha për të gjetur veten. Burime për gazetën bënë me dije se Partizani ka shfaqur një interes për sulmuesin, i cili nga ana e tij po luan ndeshjet e fundit me Poli Iasin, pasi të dalë i lirë në verë.

PRONONCIMI – “Panorama Sport” ka dashur të dijë më shumë rreth këtij lajmi mbi Skukën nga trajneri Gega, i cili të paktën me sa flitet, është ai që u vë “vulën” transferimeve të të kuqve. Trajneri, në prononcimin e tij të shkurtër, mundohet të japë sa më pak informacione, por lë gjithçka të hapur mbi rikthimin e Skukës. Megjithatë, nuk mungon një “lloj” frike në fjalët e tij në lidhje me formën e sulmuesit, kur shprehet se do të ishte vlerë e shtuar vetëm nëse do të vinte si “Skuka 1”, pra, në formën që dibrani ka luajtur në periudhën e parë me Partizanin në vitin 2022.

“Nuk e di sesi e ka situatën dhe nuk e di nëse ai ka shprehur dëshirën të vijë te Partizani. Patjetër që ne jemi të hapur me shumë lojtarë dhe po i shqyrtojmë teknikisht në vazhdimësi. Skuka ka një histori të shkruar me Partizanin dhe e ka përzemër këtë klub. Unë e vlerësoj si lojtar, patjetër që çdo njeri ka uljet dhe ngritjet e veta në karrierë. Nëse do të vinte në versionin ‘Skuka 1’, patjetër që do të ishte vlerë e shtuar, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete”, u shpreh Gega.

SITUATA – Nisur nga fakti që dibrani për momentin është ende në aktivitet, ka bërë që të mos ketë asnjë lëvizje konkrete, por vetëm kontakte në distancë për një bashkëpunim të mundshëm. Për Skukën, kampionati shqiptar mbetet plani “B”, pasi dëshira është të luajë ende jashtë, në liga dhe ekipe më të forta. Në rast se nuk do të arrinte të gjente skuadër jashtë vendit, Skuka do të shqyrtojë opsionet e Superiores, ku Partizani shihet si favorit për shkak të së shkuarës. Megjithatë, duhet thënë se edhe klube si Egnatia, Flamurtari apo Dinamo, që po investojnë shumë në vitet e fundit, mund të jenë një opsion për dibranin.

PANORAMASPORT.AL