Tradita dhe kultura e pastër shqiptare zbarkojnë në NBA, spektakël në parket
Një atmosferë e jashtëzakonshme shqiptare mbizotëroi në “United Center”, një prej arenave më ikonike të basketbollit botëror, përpara ndeshjes së NBA-së mes Chicago Bulls dhe Indiana Pacers.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të një mbrëmjeje të dedikuar komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një ansambël artistik nga shteti i Illinois solli një performancë “live” në parket. Programi përfshiu elementë të muzikës tradicionale shqiptare dhe valle karakteristike kombëtare. Të veshur me kostume popullore shumëngjyrëshe, valltarët interpretuan një program energjik dhe autentik, i cili u prit pozitivisht nga publiku i pranishëm.
Ritmet dhe dinamika e valleve shqiptare krijuan një spektakël të veçantë, të rrallë për t’u parë në një skenë si ajo e NBA-së. Kjo iniciativë shërbeu si një mundësi për promovimin e kulturës shqiptare në një arenë ndërkombëtare, duke vënë në dukje gjithashtu praninë dhe kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA. Nga Shqipëria dhe Kosova, deri në një nga qytetet më të mëdha amerikane si Chicago, kjo ngjarje u konsiderua një moment simbolik krenarie për shqiptarët. Ndërkohë, pamjet nga performanca kanë nisur të shpërndahen gjerësisht në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare në një platformë globale sportive.
NDESHJET – Duke kaluar të ndeshja, Indiana triumfoi me rezultatin e thellë 126-145, udhëhequr nga dyshja Siakam-Thompson, me 25 pikë për të parin dhe 24 për të dytin. Në përballjet e tjera të mbrëmjes, Oklahoma shkatërroi 136-96 rivalët e Lakers, duke konsoliduar vendin e parë në Konferencën e Perëndimit. Mbrëmja e kaluar ishte e mallkuar për Lakers, të cilët përveç superioritetit të dukshëm të Thunder duhet që të bënin llogaritë edhe me dëmtimin e yllit të ekipit, Luka Donçiç. San Antonio mundi 118-99 Clippers, ndërsa Charlotte fitoi 127-107 kundër Phoenix. Ndërkohë, Detroit mbron kreun në Lindje pas fitores 113-108 ndaj Minnesota. Zhgënjen Golden State, që u mund 118-111 në shtëpi nga Cleveland.
PANORAMASPORT.AL













