Tjetër dëmtim i rëndë te Partizani, sulmuesi i ardhur në janar bëhet gati për operacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2026 | 19:13

Tjetër dëmtim i rëndë te Partizani, sulmuesi i ardhur në janar bëhet gati për operacion

Partizani humbet shërbimet e David Fadairo, me sulmuesin që theu dorën në sfidën e fundit të kampionatit ndaj Vorës. Nigeriani e nisi ndeshjen ndaj vorakëve si titullar, e dyta radhazi për 27- vjeçarin, megjithatë ky takim rezultoi fatkeq për të.

partizani fadairo

Sfida për Fadairon zgjati vetëm nëntë minuta teksa sulmuesi e mbështeti keq dorën pas një kontakti me kundërshtarin duke marrë një dëmtim të rëndë. Pritet që lojtari t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale këto ditë e më pas do të ndiqet hap pas hapi koha që do të marrë rikuperimi i tij. Fadairo u bë pjesë e Partizanit në merkaton e janarit duke iu bashkuar të kuqve nga skuadra e Teutës.

fadairo

Megjithatë, eksperienca në kryeqytet me Partizanin nuk shkoi sipas planeve për sulmuesin anësor pasi ky i fundit mungoi në katër ndeshje pas një goditje në pulpë, e sapo ishte kthyer nga ai dëmtim e po e merrte veten madje duke marrë edhe besimin e trajnerit Kërnaja, vjen tashmë kjo ndalesë tjetër. Kështu, edhe për skuadrën e Partizanit shtohet një telash më shumë duke qenë se në repartin e avancuar kohët e fundit kanë hasur shqetësime fizike si Isgandarli e ashtu edhe Skuka, e Fadairo ishte shndërruar në një alternativë të rëndësishme duke ofruar garanci fizike, por edhe shumë shpejtësi në sulm.

Ndërkohë, vijon edhe fati i keq që ka ndjekur Partizanin në këtë sezon sa i takon dëmtimeve teksa janë të shumtë emrat që të kuqtë kanë humbur për shkak të dëmtimeve duke sjellë jo pak probleme më pas në organizimin e 11-tëshes titullare, edhe pse tekniku Kërnaja është munduar të përshtasë elementët që ka pasur në dispozicion duke marrë maksimumin me skuadrën që po lufton fort për t’u bërë pjesë e “Final Four”.

PANORAMASPORT.AL