“Titulli ndahet mes Elbasanit dhe Vllaznisë”, Gjika: Ky kampionat vendoset nga…
Fitorja ndaj Vllaznisë ka rikthyer entu ziazmin dhe besimin në kampin verdheblu, duke e vendosur Elbasanin në krye të renditjes në një moment delikat të sezonit. Ish-futbollisti i njohur i kësaj skuadre, Dhimitër Gjika, ka analizuar për “Panorama Sport” suksesin e fundit, formën e ekipit dhe shanset reale për titull.

Dhimitër Gjika, ish-futbollist i brezit të artë të Elbasanit
Sipas Gjikës, triumfi ndaj një rivali direkt si Vllaznia nuk është thjesht një fitore e radhës, por një hap i madh drejt objektivit final. Sipas tij, gara për titull do të reduktohet mes dy skuadrave kryesore: Elbasanit dhe Vllaznisë, të cilat kanë treguar stabilitet gjatë sezonit.
“Elbasani përjetoi një festë të vërtetë sportive, duke arritur të marrë një fitore të merituar përballë Vllaznisë dhe, si rrjedhojë, edhe kryesimin. Për mua, Elbasani është një ekip i konsoliduar. Mendoj se këto tri pikë mund të rezultojnë vendimtare në fund, duke parë se ky kampionat po ndahet shumë ngushtë. Garën për titull e shoh vetëm mes këtyre dy skuadrave”, u shpreh ai.
KËSHILLA – Gjika thekson se diferencat janë minimale dhe çdo ndeshje e mbetur do të ketë peshë të jashtëzakonshme në fatin e titullit. Megjithëse atmosfera është elektrizuese, Gjika paralajmëron skuadrën që të mos bjerë pre e euforisë. “I bëj thirrje që në tri ndeshjet që kanë mbetur të bëjnë maksimumin dhe të mos kapen nga euforia. Vetëm me përqendrim dhe seriozitet mund të ruhet ky ritëm deri në fund”, vijoi ai.
FORCA – Një nga elementët kyç të suksesit, sipas ish-futbollistit, është uniteti brenda skuadrës dhe menaxhimi i mirë i lojës. Ai vlerëson gjithashtu balancën mes eksperiencës dhe cilësisë, që i jep skuadrës siguri në momentet vendimtare. “Ky ekip ka unitet dhe një luftë shumë të mirë në grup. Pa harruar edhe menaxhimin e lojës nga futbollistët cilësorë që ka në përbërje, të cilët zbatojnë siç duhet direktivat e trajnerit”, nënvizon Gjika.
Një faktor që nuk mund të lihet pa përmendur është mbështetja e tifozëve, të cilët kanë qenë pranë ekipit në çdo moment. “Ekipi ka një armë plus, siç janë tifozët, të cilët e kanë mbështetur gjithmonë skuadrën”, shton ai.
TITULLI – Në fund, ishfutbollisti pranon se bindja për titullin është rritur ndjeshëm pas kësaj fitoreje. “Sa i përket titullit, dua të jem i sinqertë. Deri para ndeshjes me Vllazninë nuk isha kaq optimist sa jam tani. Por, me atë fitore bindëse, i bëj thirrje Vllaznisë të bëjë kujdes, sepse Elbasani është rivali kryesor dhe gati për ta sjellë titullin në Elbasan”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish futbollisti i Elbasanit.
PANORAMASPORT.AL













