Titullari i Vllaznisë pëson dëmtim në shpatull, sa do të qëndrojë jashtë fushave
Ndeshja e radhës në kampionat për Vllazninë do jetë ajo kundër Partizanit, duel që është i vlefshëm për raundin e tretë të edicionit 2025-26 të Superiores.

Takimi do mbahet në stadiumin “Loro Boriçi”, ditën e shtunë në orën 19:00. Një 90 minutësh ku shkodranët do kërkojnë të rikthehen tek rezultatet pozitive pas humbjes 3-1 ndaj Dinamos në javën e dytë dhe ndaj të kuqve kërkohet reagimi dhe sidomos para tifozerisë vendasve. Humori dhe motivimi te kuqeblutë para këtij dueli ka qenë në doza të larta pozitiviteti. Kjo është vërejtur në proceset stërvitore të kësaj jave, ku grupi kuqeblu duket se gëzon një harmoni të plotë dhe motivimi duket në doza të larta.
Kjo para ndeshjes me 17 herë kampionët e vendit, ndaj të cilëve Vllaznia do synojë me patjetër rezultatin pozitiv. Në mënyrë që të ruajë edhe një traditë shumë të suksesshme ndaj “demave” në ndeshjet si vendas. Ku ndaj kryeqytetasve, shkodranët kanë thuajse 3 vite që nuk humbasin në shtëpi. Me suksesin e fundit të Partizanit në “Loro Boriçi” që daton më 7.10.2022. Ku 17 herë kampionët e vendit përmbysnin golin e Hoxhajt falë rrjetave të Da Silvas dhe Skukës. Dueli ishte i vlefshëm për javën e 7-të të edicionit 2022-23 të Superiores. Prandaj motivimi për të arritur një fitore në ndeshjen e radhës është shumë i madh tek skuadra e drejtuar nga Edi Martini.
MUNGESA Vllaznia ka marrë një goditje të rëndë përpara ndeshjes së fundjavës në Superiore ndaj Partizanit. Mësohet se portieri titullar, Aron Jukaj, do të mungojë të paktën një muaj për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë angazhimit me Kombëtaren U21. Jukaj ishte titullar në sfidën e së enjtes ndaj Zvicrës, por në minutat e fundit pësoi një dëmtim pas përplasjes me shtyllën në episodin që solli autogolin e tij.
Pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, portieri u detyrua të linte fushën, ndërsa më pas kontrollet mjekësore konfirmuan dëmtimin në shpatull, që do ta mbajë larg fushave për rreth një muaj. Në këtë mënyrë te Vllaznia vjen momenti për të luajtur titullar për Leon Pohls. Gjermanin i cili u afrua gjatë kësaj merkatoje verore në radhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë. Por, që momentalisht konsiderohej një rezervë dhe alternativë e Jukajt, duke parë formën e mirë që po kalonte 20-vjeçari i katërkëndorit kuqeblu.
E kështu Pohls do përpiqet të përfitojë nga kjo mungesë e portierit titullar të 9 herë kampionëve të vendit tonë. Kjo ndoshta për të siguruar edhe vendin e titullarit në vijimësinë e kampionatit. Është ironike situata me Jukajn, i cili sezonin e shkuar “përfitoi” nga një dëmtim i portierit titullar, Qarrit, në muajin dhjetor. Që nga ai moment portieri edhe i kombëtares U-21 të Shqipërisë u shndërrua në titullar të ekipit shkodran. Duke mos e lëshuar më vendin e tij në portë. Teksa tashmë do jetë për një periudhë që mendohet të jetë rreth 1 muaj jashtë fushave të blerta të lojës.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













