Tirana shpreson përsëri, për objektivin piketohen edhe dy përforcime të qarta në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2026 | 10:53

Tirana shpreson përsëri, për objektivin piketohen edhe dy përforcime të qarta në merkato

Tirana doli me tri pikë të arta nga transferta e Ballshit, duke mposhtur Bylisin me rezultatin 0-1. Një fitore që i jep moral skuadrës bardheblu, por që njëkohësisht shërben vetëm si hapi i parë drejt objektivit të vendosur nga klubi, grumbullimi i 9 pikëve në këtë minicikël vendimtar të kampionatit.

tirana

Për të realizuar plotësisht këtë synim, bardheblutë duhet të konfirmojnë suksesin edhe në dy përballjet e radhës. Fillimisht ndaj Vorës, një skuadër debutuese që këtë sezon është kthyer në surprizë të pakëndshme për Tiranën, me dy humbje në ndeshjet direkte. Pikërisht kjo statistikë e bën sfidën e ardhshme të ketë karakter të veçantë, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë.

Më pas, në “Selman Stërmasi” vjen Flamurtari, ndaj të cilit Tirana synon të përfitojë maksimalisht nga faktori fushë. Pas këtij blloku ndeshjesh vjen pjesa më e vështirë e kalendarit. Një transfertë e fortë ndaj Egnatias, kampionëve në fuqi, dhe dy derbit e zjarrta të kryeqytetit kundër Dinamos dhe Partizanit, do të matin realisht forcën dhe ambiciet e bardhebluve për pjesën e mbetur të sezonit.

FORMA E SKUADRËS – Ndeshja në Ballsh tregoi se jo të gjithë lojtarët janë ende në nivelin optimal fizik dhe taktik. Stafi teknik me në krye Nuhijun pret që deri në fund të janarit skuadra të arrijë balancën e duhur në lojë dhe intensitet, për të përballuar kalendarin e ngjeshur që e pret.

LËVIZJET NË MERKATO – Paralelisht me garën sportive, klubi po punon edhe në merkato. Synimi është afrimi i një qendërmesfushori që të shtojë cilësi në ndërtimin e lojës dhe një qendërmbrojtësi që të rrisë sigurinë në prapavijë. Përforcimet e duhura në këto reparte shihen si të nevojshme për të përballuar sfidat e forta që priten në javët e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL