Tirana, në plan jo më shumë se pesë blerje. Tagani dhe Tafaji rrëfehen për bisedimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2013 | 13:04

Tirana, në plan jo më shumë se pesë blerje. Tagani dhe Tafaji rrëfehen për bisedimet

TaganiTirana i ka idetë e qarta për të ardhmen, të paktën sa i përket merkatos. Me pesë blerjet gjatë kësaj periudhe, ekipi mund të konsiderohet i kompletuar. Është kjo strategjia e drejtuesve bardheblu, çka nuk ngurojnë që ta pranojnë në një deklaratë të dhënë për gazetën, si administratori Tagani dhe trajneri Tafaji. Afrimi më konkret është ai i Hysenbelliut, pritet që të zyrtarizohet edhe Mazrekaj. Por, jo vetëm kaq. Aktualisht në ekip është edhe sulmuesi Dario Xhuti, i cili e ka nisur provën që në fund të muajit dhjetor, apo një tjetër kosovar, që do të mbërrijë sot në kryeqytetet, Shpejtim Arifi.
Tagani – Numri një i klubit pritet që brenda kësaj jave të niset drejt Kosovës për të mbyllur kontratën e binjakëzimit me FC Prishtinën, si dhe për të firmosur kontratën me Mazrekajn. “Brenda javës do të shkoj në Prishtinë për ta mbyllur me sukses afrimin e Mazrekajt. Jemi në rrugë të mbarë për merkaton, ndërsa shpresojmë që shumë shpejt të planifikojmë se ku do të zhvillohet faza përgatitore. Skuadrën thuajse e kemi blinduar, këtu llogaris lojtarët që mbyllën fazën e parë, ndërsa presim edhe prurje të reja. Problemi është Gilman Lika. Ai tashmë është zyrtarisht një lojtar i larguar nga Tirana. Mirëpo Lika e ka kontratën gati dhe, kurdo që të ketë dëshirën për të rinovuar, mund të vijë edhe të firmosë. Afrimet do të jenë me pikatore, pasi ne bazën e kemi dhe dihet që janari nuk të ofron shumë opsione. Megjithatë, nëse e konkretizojmë këtë plan, do të krijojmë një ekip që do të konkurrojë denjësisht për majat”, – tha Tagani për “Panorama Sport”.
Tafaji – I të njëjtës linjë është edhe trajneri Alban Tafaji, njëherësh edhe drejtori sportiv i ekipit. Tekniku shpjegon se me pesë blerje skuadra mund të quhet e konsoliduar. Ai thekson se konkurrenca do të shtohet, ndërsa prioritet do të ketë sulmi, një repart problematik gjatë fazës së parë. “Po vazhdoj punën, ndërsa gjatë këtyre ditëve jam fokusuar tek ana aerobike. Edhe sot ekipi do të vijojë te Kodrat e Liqenit, për të vazhduar më pas në fushë, me nga dy seanca. Sa i përket merkatos, emrat janë ato që janë lakuar tashmë. Presim vetëm zyrtarizimet. “Hysenbelliu është afrim tashmë, gjithashtu edhe Xhuti. Pres kosovarin Arifi, i cili do të jetë në provë, por edhe Mazrekajn, që mund të quhet blerje e Tiranës. Një tjetër emër është ai i Petrit Osmanit, por për të do të presim njëherë, duke qenë që gjithçka varet nga Gilman Lika. Nëse nuk arrijmë rinovimin me shkodranin, Osmani do të jetë zëvendësuesi i tij. Megjithatë, mendoj se deri më datë 9 ose 10 dilemat që kemi deri më tani do të kenë marrë zgjidhje”, – përfundoi trajneri Tafaji.

Java do të përmbyllet me një miqësore
Tirana ka vijuar edhe dje përgatitjet nga liqeni. Me vrap dhe ushtrime aerobike, ekipi ka kryer seancën e dytë përgatitore për këtë vit kalendarik. I njëjti program do të jetë edhe për sot, ndërsa prej ditës së nesërme skuadra do të marrë ngarkesat e duhura, teksa me dy seanca do të përmbyllet edhe gjithë java. Paradite nga stadiumi “Selman Stërmasi”, ndërsa pasdite te kompleksi “Skënder Halili”. Mendohet që të shtunën të zhvillohet miqësorja e parë, mirëpo deri më tani nuk është gjetur ende një kundërshtar. Gjithsesi, deri në fundjavë mendohet se do të gjendet një ekip për t’u realizuar ky test.
ADELA MERKO