“Tirana ishte mbrapa”, trajneri Martini për krizën e Vllaznisë: Këto dy lojtarë po na ndihmojnë pak
Trajneri Edi Martini foli pas barazimit 1 me 1 të Vllaznisë ndaj Tiranës.

“E para që nuk jemi në maksimumin tonë, shkojmë në 30 metra dhe nuk jemi të qartë. Për meritë të Tiranës se ishin mbrapa, të ngjeshur. Shkojmë në 30 metra, pastaj duhet agresivitet për ta bërë golin, nuk bëhet kollaj.
Ishim përgatitur që Tirana 4-3-3, pastaj doli 3-5-2. U ndëshkuam shpejt. E filluam më avash se duhet, pastaj dolëm te loja jonë. Kishim raste të tjera, mund të shënonim në pjesën e parë dhe ta mbyllnim ndeshjen. Duhet më tepër qetësi dhe agresivitet. Është çështje besimi, u bënë shumë ndeshje që nuk jemi të qartë para porte.
Jago nuk është në gjendje fizike pas dëmtimit. Kastrati harxhoi energji. Deri në minutën e 65-të nuk pushoi. Te minutat e fundit, lodhja bëri punën e vet.
Ka momente që lojtarët që e ndjejnë veten më mirë, tentojnë më tepër se duhet. Ne me ndërrimet në pjesën e dytë, si Jago dhe Bismark, nuk na përgjigjen ndërrimet si duhet. Mala pati shqetësim në kofshë. U detyruam ta ndryshonim. Jago dhe Bismark po na ndihmojnë pak, por nuk duhet vendosur përgjegjësia. Me thënë të drejtën ndihet presioni që duhet të fitojmë ndeshjen, por jemi të pjekur dhe me eksperiencë, që duhet të dalim patjetër.
Vllaznia ku duhet ta gjejë besimin? Janë momente, nuk është thjesht besimi. Gjendja e lojtarëve të kthyer nga dëmtimi nuk është e duhura. Besimi duhet ta gjejmë te loja që kemi bërë para 5-6 javëve kur kemi qenë në top formë”, u shpreh trajneri Martini për “RTSH”.
PANORAMASPORT.AL













