Tirana, derbi për të “larë” sezonin e turpit
Për të vërtetën, për krenarinë dhe kryeqytetin bardheblu. Kjo është motoja e derbit të së dielës me Dinamon.

Bledi Shkëmbi dhe lojtarët e Tiranës kanë detyrën e madhe që të fitojnë derbin me Dinamon. Kjo është rruga e vetme që të shpëtojë Tirana, ose më saktë të mos bjerë direkt nga kategoria. Bardheblutë këto ditë kanë qenë të izoluar për derbin, pas goditjes së rëndë me Teutën. Justifikime nuk ka dhe Tirana duhet të marrë tri pikët ndaj bluve. Si presidenti dhe drejtuesit ua kanë bërë të qartë lojtarëve këtë situatë, sepse në të kundërt Tirana mbulohet nga turpi.
SPOSTIMI – Ndeshja Dinamo–Tirana do të luhet në stadiumin “Arena Egnatia”, ditën e diel, ora 15:30. Derbi do të luhet kështu për herë të parë në stadiumin e Egnatias. Ky takim ishte programuar më parë për t’u luajtur në “Elbasan Arena”. Shkak për këtë është bërë ndeshja mes Besës dhe Pogradecit. Të dyja skuadrat do të luajnë më 28 prill në Elbasan dhe kështu synim është ruajtja e fushës. Ndërkohë, sfida mes Dinamo-Tirana është e vlefshme për javën e fundit të Superiores.
PARADOKSI – Ndeshja derbi mes dy ekipeve ka një të veçantë. Këtë kampionat nuk është luajtur asnjëherë në kryeqytet. Takimi i parë u zhvillua në Vlorë. Më pas ndeshja e dytë u spostua në Elbasan, me blutë pritës dhe sfida e tretë po në Elbasan me 26 herë kampionët si të zotët e shtëpisë. Ndeshja e katërt luhet po në Rrogozhinë, me Tiranën që ka urdhëruar në çdo cep të Shqipërisë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













