FORMULA 1/ Ndryshon pas 5 ditësh podiumi i Monakos, Gasli rikthehet i treti
FIA ka përmbysur zyrtarisht renditjen e Çmimit të Madh të Monakos, disa ditë pas garës, duke anuluar penalitetet për Pierr Gaslin për shpejtësi në “pit lane”.

Pas rishikimit teknik, FIA pranoi një gabim në matjen e distancës së sensorëve të kohës në korsinë e bokseve. Ky defekt ndikoi në llogaritjen e shpejtësisë dhe në dhënien e penaliteteve. Si rezultat, Gasli rikthehet në vendin e tretë të garës, ashtu siç kishte përfunduar në pistë. Alpine e ka mirëpritur vendimin dhe ka festuar korrigjimin e rezultatit, ndërsa drejtori i ekipit Flavio Briatore përgëzoi menjëherë pilotin francez. Ndryshimi i renditjes e zbret Isak Haxharin nga podiumi në vendin e katërt.
Hetimi zbuloi se sistemi i matjes në “pit lane” ishte vendosur gabim pas ndryshimeve në pistë. Një diferencë prej vetëm 77 centimetrash rezultoi vendimtare në regjistrimin e shpejtësisë dhe ky gabim bëri që disa pilotë të kalonin gabimisht kufirin e lejuar prej 60 km/h. Përveç Gaslis, u prekën edhe Luis Hamilton, Xhorxh Rasëll dhe Oskar Piastri, por penalitetet e tyre mbetën në fuqi pasi u ekzekutuan gjatë garës dhe ndikuan në strategji.
FIA pranoi se nuk ka rregull që lejon anulimin e një penaliteti tashmë të zbatuar në pistë. Kështu, vetëm Gasli përfitoi nga korrigjimi dhe iu rikthye podiumi në Monako
PANORAMASPORT.AL













