I shënoi 4 gola në dy ndeshje Shqipërisë si anglez, historia e pazakontë e sulmuesit që po bën të ëndërrojë SHBA-në në Botëror
SHBA e nisi me një fitore bindëse 4-1 pjesëmarrjen në Botërorin ku është vend organizator duke mposhtur Paraguain. Protagonist absolut i ndeshjes ishte sulmuesi Folarin Balogun, i cili shënoi dy gola në pjesën e parë të takimit.

Sulmuesi i Monako, i rritur në radhët e akademisë së Arsenalit, është bërë vetëm pak vite më parë pjesë e SHBA për shkak të një historie shumë të pazakontë. Ai në fakt vjen nga prindër nigerianë me banim në Londër, të cilët kishin shtetësinë britanike.
Por fati desh që në vitin 2001, prindërit e tij të udhëtonin drejt SHBA për pushime kur e ëma ishte shtatzënë. Ata kishin planifikuar të ktheheshin por nuk u lejuan nga kompanitë e udhëtimeve të hipnin në avion, pasi po afronte data e lindjes dhe nuk merrej përsipër rreziku në një udhëtim të gjatë.
Kështu ata qëndruan në SHBA dhe Folarin Balogun lindi në SHBA, duke marrë sipas rregullave të vendit edhe shtetësinë amerikane. Sigurisht më pas familja u kthye në Angli, ku Balogun u rrit si një londinez i vërtetë dhe u bë pjesë e akademisë së Arsenalit, duke u kthyer në lojtar edhe të ekipeve të moshave të Anglisë. Ai luajti me të deri me U21, duke u ndeshur dy herë me Shqipërinë të cilës i shënoi 4 gola në 2 ndeshje në vitin 2022.
Por një vit më vonë, ai i tha përfundimisht “po” përfaqësueses së SHBA duke mos pritur kur të vinte momenti i tij te “tre luanët”. Një vendim që e ktheu në një lojtar të rëndësishëm për përfaqësuesen e re, të kurorëzuar me dy golat në ndeshjen e parë të saj në Botërorin 2026.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













