Tirana 2026-2027 nis nga Shehi dhe Xhixha, drejtuesit duhet të mbyllin kontratat e reja deri në fund majit
Te Tirana po afrohet një periudhë ven dimtare, e cila pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Bardheblutë hyjnë në këtë fazë me një sërë pikëpyetjesh të hapura, si në aspektin e drejtimit teknik, ashtu edhe në atë të merkatos dhe kontratave të lojtarëve.

TRAJNERI – Në krye të këtyre dilemave qëndron situata e trajnerit Orges Shehi, i cili aktualisht është pa kontratë. Emri i tij mbetet në fokus jo vetëm të Tiranës, por edhe të disa klubeve të tjera si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Kjo e bën të paqartë të ardhmen e pankinës bardheblu, ndërsa klubi duhet të vendosë shpejt nëse do të ndërtojë projektin e ri sportiv me të apo do të nisë një cikël të ri me emër tjetër në stol.
LOJTARËT – Paralelisht, një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me grupin aktual të lojtarëve, ku disa prej tyre konsiderohen thelbësorë për vazhdimësinë e projektit. Emra si Redon Xhixha (1065 minuta), Visar Bekaj (1350 minuta) dhe Rafael Silva (2901 minuta) janë në pritje të rinovimit të kontratave. Bisedimet me klubin pritet të jenë vendimtare, pasi nga këto marrëveshje do të varet në masë të madhe edhe stabiliteti i skuadrës për sezonin e ri. Çdo vonesë në këto rinovime mund të hapë gjithashtu derën për oferta të tjera nga tregu rajonal. Nga ana tjetër, situata është më e qartë për disa futbollistë që praktikisht nuk janë më pjesë e planeve teknike.
Diar Halili (1474 minuta), Anton Kresiç (1142 minuta) dhe Rijad Kobiljar (708 minuta) konsiderohen tashmë të larguar de facto, pasi nuk janë aktivizuar më me skuadrën dhe janë jashtë projektit sportiv. Për ta pritet vetëm zyrtarizimi i ndarjes me klubin, ndërsa mbetet për t’u parë mënyra se si do të zgjidhen edhe detyrimet e mbetura mes palëve. Në këtë kontekst, Tirana ndodhet përballë një faze të rëndësishme riorganizimi, ku vendimet e afërta do të përcaktojnë jo vetëm formën e skuadrës, por edhe objektivat afatshkurtra dhe afatgjata të klubit. Drejtuesit bardheblu kanë përpara një verë të ngarkuar, ku çdo lëvizje në merkato do të ketë peshë të madhe në balancën e ekipit dhe në konkurrencën për sezonin e ardhshëm në kampionat.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













