“Mirë që u ndryshua formula. Ka sukses, nëse s’ka tolerime”, Delia: Largime me peshë, e vështirë për Dinamon! Shoh dy favorite për të kaluar turin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2026 | 0:07

“Mirë që u ndryshua formula. Ka sukses, nëse s’ka tolerime”, Delia: Largime me peshë, e vështirë për Dinamon! Shoh dy favorite për të kaluar turin

Dinamo po i jep dorën e fundit fazës përgatitore në Ohër, por në fakt gjërat nuk po shkojnë mirë në kampin blu pas largimeve të fundit. Trajneri dhe një nga figurat e shquara të Dinamos, Bashkim Delia e sheh jo optimiste situatën para ndeshjes me Astanën.

DELIA

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Delia shprehet se për ta do të jetë shumë e vështirë duke parë largimet dhe gjendjen, megjithatë shpreson në një rezultat pozitiv, pasi i beson faktit se në futboll ndodh gjithçka.

Profe, vetëm pak ditë kanë ngelë nga ndeshjet e Europës. Si e sheh këtë Dinamon me largimet dhe me afrimet e bëra deri tani?

Tani është edhe periudha që të gjitha ekipet si Dinamo, Vllaznia, Elbasani, Partizani dhe shumë ekipe të tjera të Superiores, është momenti që bëjnë afrime dhe sigurisht edhe largime nga ekipet, sipas kontratave që kanë dhe sipas zgjedhjeve personale të këtyre futbollistëve që janë si te Dinamo, ashtu edhe te ekipet e tjera të Superiores.

Sigurisht, Dinamo, si të gjithë ekipet, është në ndryshim dhe ka pasur një gjendje shumë të mirë në përfundim të kampionatit, për sa i përket futbollistëve aktualë dhe ka pretenduar për më tej. Por me marrjen e Kupës së Shqipërisë, sikur e uli ritmin e lojës dhe intensitetin dhe dolën aty ky dolën, vendi i katërt në “Final 4”.

Si po e sheh gjendjen e skuadrës para rifillimit të aktivitetit?

Me fazën përgatitore që po bëhet, sipas informacioneve që kanë dhënë edhe gazetarët, edhe shtypi sportiv shqiptar, ka bërë disa ndryshime duke filluar nga mbrojtja. Andrea Teikseira ka shkuar me ekipet e tjera dhe nuk ka pranuar të firmosë te Dinamo. Po ashtu është larguar edhe Nani dhe janë larguar edhe futbollistë të tjerë. Bernard Berisha dhe futbollistë të tjerë, të cilët ose e kanë pasur të arsyeshme vetë stafi që t’i largojë, ose ata vetë kanë plotësuar kushtet dhe janë larguar.

Por çështja Bregu mbetet një nga çështjet më të  diskutueshme, i cili pranoi në fillim, sipas mediave, që të rritej te Dinamo dhe pastaj kaloi të firmosë te një ekip tjetër. Nuk e di akoma edhe sot e kësaj dite nëse e ka mbaruar kontratën, domethënë e ka firmosur kontratën me ekipin e Teutës apo do të largohet jashtë vendit. Domethënë, disa largime të Dinamos thuajse e dëmtojnë si në mbrojtje, si në mesfushë, ashtu edhe në sulm.

Ndërkohë, për pak ditë është ndeshja…

Këto largime që Dinamo ka pasur, për mua dëmtojnë strukturën e ekipit të Dinamos, sepse ka edhe ndeshje me datën 9 me Astanën, që është një nga ekipet më me eksperiencë dhe përvojë. Dinamo e ka këtë gjë, por Astana ka një ekip që ka një menaxhim prej 20 deri në 25 milionë euro në vit. Ka lojtarë që kanë luajtur edhe në kupat europiane, me Interin, Shakhtarin dhe shumë ekipe të tjera.

Është një ekip jashtëzakonisht i fortë dhe do të jetë shumë i vështirë për t’u kaluar. Jo se futbolli është i paparashikueshëm, jo se nuk mund ta kalojë Dinamo, por në statistika themi që, pavarësisht se Dinamo është formuar në vitin 1950 dhe ata janë formuar në vitin 2009, mendoj që është tepër, tepër e vështirë. Për sa i përket afrimeve, ka bërë disa afrime.

Sulmues kanë marrë, kanë marrë sulmuesin e Dritës, kanë marrë disa lojtarë të tjerë dhe tre lojtarë që janë nga Ballshi në kampionatin e Superiores. Domethënë, nuk ka bërë ndonjë hop, nuk ka marrë një lojtar me bujë, një lojtar që bën diferencën. Ne akoma nuk e kemi parë.

Ka bërë dy ndeshje miqësore me Strugën dhe Sileksin, të cilat të dyja i ka fituar, por akoma nuk e kemi parë gjendjen, sepse është në fazë përgatitore në Ohër. Shohim gjendjen e këtyre lojtarëve si Xhejms, si lojtarët e tjerë që ka marrë. Ka marrë edhe lojtarë të rinj dhe, për mendimin tim, ka bërë shumë mirë trajneri Daja që ka marrë një kontingjent të rinjsh prej 17, 18, 19 vjeçarësh, të cilët përgatiten në fazën përgatitore.

A mendon se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për largimet e Dinamos, ku edhe një eliminim i mundshëm në tur të parë, ka kosto financiare?

Kush është ai trajner ose ai president klubi që nuk do që të ketë lojtarë të mirë, ose nuk do që të afrojë lojtarë të mirë dhe lojtarë me kualitet? Unë gjykoj dhe mendoj që Dinamo duhet të shikojë më tej, për sa i përket edhe mesfushorëve dhe sulmuesve, edhe repartit të mbrojtjes, sepse ka ngelur ditë, Dita dhe Aliji, dy lojtarë që është një kampionat i gjatë dhe me dy lojtarë nuk mund të kalohet. Krijon një boshllëk edhe largimi i Teikseiras, por duhet të zgjedhë lojtarë më cilësorë dhe sigurisht duhet të ketë mundësi të bëjë edhe shpenzime akoma më të mëdha.

Në këtë situatë, me këta lojtarë që mund të zgjedhë, mund të ketë edhe çmime më të larta, sipas tregut. Kështu që ata kanë menduar që mundet që këto vende t’i riparojnë brenda ekipit me lojtarët që kanë në 22-shen e ekipit. Është humbje edhe për sa i përket Bregut, që është një nga lojtarët më të mirë pothuajse të kampionatit tonë dhe një nga organizatorët që mbështetej komplet edhe nga stafi teknik, edhe presidenti, edhe klubi. Ai ka dhënë shumë ndeshje të mira, me lojën e tij të thjeshtë, me lojën e tij teknike, me lojën e tij taktike, të dhënë nga trajneri Ilir Daja, ose me ato zëvendësimet nga krahu i majtë që e futi në qendër dhe ka dhënë rezultate.

Tani me Astanën, që është një nga ekipet shumë të mira, që ka edhe raport me Dinamon, besoj se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Por ndonjëherë nuk duhet të themi që nuk mundemi. Ndeshja e parë është kështu dhe mendoj që duhet të luajmë për fitore dhe të kemi besim te lojtarët që janë. T’u kemi besim, sepse edhe Astana ka luajtur, por nga gjendja e mëparshme janë larguar shumë lojtarë të ekipit të Astanas. Pavarësisht se ka pasur ekip shumë të mirë dhe lojtarë jashtëzakonisht cilësorë, të dhënat e fundit tregojnë që shumë lojtarë nga ekipi i Astanas janë larguar.

Kështu që do të jetë një ballafaqim jashtëzakonisht i fortë dhe besoj se me datën 9 korrik do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme. Besoj se Ilir Daja, trajneri dhe stafi kanë menduar, duke parë edhe kasetat e atyre ndeshjeve, duke punuar edhe me analistët dhe videoanalistin, që të marrin masa për ta kaluar me sukses ndeshjen kundër Astanas.

Po tre skuadrat e tjera që luajnë në Europë, Egnatia, Vllaznia e Elbasani. Si i sheh para këtyre ndeshjeve?

Tani unë gjykoj se Vllaznisë me ekipin e Malishevës, e ka pak më të lehtë në letër. Ekipet e tjera janë shumë të forta. BATE Borisov që do të luajë dhe skuadra e Petrokubit në Champions janë të forta. Njëkohësisht edhe ekipi i Elbasanit, e shikoj jashtëzakonisht të vështirë. Me përjashtim të Vllaznisë, që mundet ta kalojë. Tani këto janë në letër, sepse edhe ekipi i Malishevës nuk është një ekip i dobët, por mendohet që mundet ta kalojë këtë tur Vllaznia. Kurse për Elbasanin dhe Egnatin e kanë jashtëzakonisht të vështirë, por ndonjëherë nuk është e pamundur. Nga të dhënat dhe statistikat, gjithmonë ekipet kundërshtare në letër duken më të forta, por Elbasani ka bërë edhe disa përforcime në ekip dhe ka pasur një ekip të fortë, një ekip agresiv.

Ka pasur lojtarë që nga mbrojtja, një mbrojtje agresive, me një mesfushë që organizonte shumë mirë dhe lojtarë sulmi që i ka jashtëzakonisht të shpejtë. Ka bërë përforcime dhe do të jetë një ndeshje e fortë, por kam besim që Elbasani dhe Vllaznia mund ta kenë pak më të lehtë sesa ekipet e tjera që kanë kundërshtarë shumë të fortë. Premisat janë që dy ekipe mund të kualifikohen, gjykoj unë, dhe dy ekipe e kanë jashtëzakonisht të vështirë me kundërshtarët e tyre.

Por dëshira ime, meqë jam edhe dinamovit i vjetër, është që ne të kualifikohemi kundër Astanas, pavarësisht se ata kanë lojtarë të mirë, lojtarë që kanë luajtur në arenën ndërkombëtare, në ekipe shumë të mëdha dhe kanë pasur sukses. Kanë qenë edhe në grupet e Ligës së Konferencës dhe Ligën e Kampionëve ose Ligën e Europës. Por përsëri themi që, meqë jam dinamovit, e kam dëshirë që Dinamo ta kalojë këtë ndeshje me Astanën.

Profe, dua një koment për ndryshimin e formulës nga “Final Four” në tre faza dhe përgjysmim pikësh pastaj. Si e sheh këtë?

Unë e mora vesh atë vendimin e Komitetit Ekzekutiv, sipas konferencës që dhanë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Është një vendim i drejtë. Domethënë, këtë vit është një vendim i drejtë që do të luhet me tre faza dhe faza e katërt do të jetë me gjashtë ekipe, ndërsa katër të tjerë do të ndeshen për të mos dalë nga kategoria. Në vitin 2027-2028 do të futen edhe dy ekipe të tjera dhe bëhet me 12 ekipe dhe bëhet gjashtë me gjashtë. Unë shikoj një formulë që është zbatuar, nëse nuk gaboj, në kampionatin belg. Dhe e shikoj një formulë shumë të mirë, por kjo varet nga të gjithë.

Në dorë e kanë vetë ekipet, vetë presidentët, që të mos tolerojnë. Frika është gjithmonë në Shqipëri ose në ekipet shqiptare që kur humbim vendin për finalen, për titullin kampion, ose kur humbim vendin e parë apo të dytë, fillojnë ato lëshimet. Nuk themi që bëhen lëshime të tilla, por ndodhin situata që unë kam qejf të fitojë Dinamo, kam qejf të fitojnë edhe këto ekipe, dhe këto lëshime i bëjnë vetë presidentët.

Në qoftë se presidentët do të jenë korrektë me ekipet e tyre, në qoftë se të gjithë trajnerët dhe futbollistët do të jenë korrektë, do të luajnë “fair play”, kampionati do të bëhet jashtëzakonisht konkurrues, do të bëhet jashtëzakonisht i bukur dhe nuk do të ketë tolerime ose paramendime për këto ndeshje që do të vijnë. Me këtë formulë, në qoftë se nuk do të ketë këtë lloj marrëveshjeje nën thonjëza, dhe uroj që të mos ketë, do të jetë një formulë jashtëzakonisht e mirë.

Do të jetë një kampionat konkurrues, ku të gjithë, që nga i pari deri te i dhjeti, do të jenë në kushte të barabarta, do të përgjysmohen pikët dhe kush ta meritojë do ta fitojë titullin kampion. E shikoj një formulë të mirë për vitin e ardhshëm, por njëkohësisht duhet që të gjithë presidentët dhe stafet të përgatiten dhe të mos tolerojnë në fundin e kampionatit. Në qoftë se këto nuk do të tolerohen, atëherë do të ketë sukses kjo lloj formule.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL