Tetova optimist para Bylisit: Synojmë suksesin
Egnatia rikthehet në fushë pas pauzës së kampionatit, një periudhë që trajneri Edlir Tetova e sheh si pozitive për qetësimin e skuadrës dhe integrimin më të mirë të lojtarëve të rinj.
Pas një serie prej nëntë ndeshjesh pa humbje, përjashtuar vetëm një rezultat negativ, rrogozhinasit kërkojnë të rifusin ritmin e duhur dhe të rikthehen te fitorja përballë Bylisit, një kundërshtar që gjithmonë di të vërë në provë çdo skuadër.
Tetova shfaqet i qetë, pa presion, duke theksuar se fokusi kryesor është loja e Egnatias dhe ekzekutimi i detyrave në fushë. Për të, rëndësi ka krijimi i ideve të qarta sulmuese dhe përmirësimi i finalizimit, një element që i ka munguar skuadrës në disa ndeshje të fundit, pavarësisht rasteve të shumta të krijuara. Në intervistën e dhënë për mediat, tekniku flet për gjendjen e ekipit, afrimet e reja, përgatitjen fizike dhe pritshmëritë për ndeshjen me Bylisin, duke garantuar se Egnatia është gati të përballet me ritmin e ngjeshur të javëve që vijnë.
Sa ka përfituar skuadra nga pauza e kampionatit?
Sigurisht që kjo javë ka sjellë përfitimet e veta, sepse çdo pushim shërben për mirë. Na ka ndikuar pozitivisht për lojtarët e rinj që janë bashkuar me skuadrën, në mënyrë që të ngjizen më shumë me grupin dhe të jenë të përfshirë më mirë në manovër gjatë lojës.
A ka ndonjë presion para kësaj ndeshjeje me Bylisin?
Jo, nuk besoj se ka presion. Fokusi është te Egnatia, te loja jonë. Mendoj se ne duhet të kryejmë detyrat dhe të shkojmë drejt portës kundërshtare me ide të qarta.
Sa të rëndësishme janë pikët në këtë ndeshje për t’u rikthyer në një ritëm pozitiv?
Vijmë pas nëntë rezultateve pozitive dhe vetëm një negativi. Normalisht jemi në një rrugë të mirë, por objektivi i vetëm janë tre pikët.
Shumë raste, por pak gola. Sa ju shqetëson ky fakt dhe çfarë do të ndryshoni?
Kemi punuar para portës dhe thuajse çdo ushtrim e kemi lidhur me finalizimin. Shqetësim është kur ekipi nuk shkon drejt portës, por edhe ky është një ngërç që do ta zgjidhim.
Ku kërkoni ende përmirësime?
Mendoj se duhet të rrisim manovrën dhe shpejtësinë e reagimit në pasime.
Mendoni se afrimet e reja kanë ende nevojë për kohë?
Ka lojtarë që janë ende pak mbrapa në këtë aspekt. Kemi punuar dhe po shohim gjëra të mira nga dita në ditë dhe shpresoj që të arrijnë sa më shpejt ritmin me grupin.
A është ekipi në parametrat e duhur fizikë për të përballuar ndeshjet e ngjeshura?
Sigurisht që po. Kemi një grupim lojtarësh që mund të përballojnë shumë mirë rotacionin dhe ndeshjet e shpeshta. Po bëj rotacion në çdo ndeshje, sepse në janar ndeshjet do të ngjeshen edhe më shumë dhe mendoj se jemi gati për këtë situatë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













