Tetova komandant i shumëkombësh, nga Brazili te Bregu i Fildishtë për të mbrojtur fronin e Egnatias!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2025 | 13:33

Tetova komandant i shumëkombësh, nga Brazili te Bregu i Fildishtë për të mbrojtur fronin e Egnatias!

Egnatia shpreson që ta mbajë sa më gjatë vendin e parë, aty ku duket se është habitati i saj natyral, duke marrë parasysh dy vitet e fundit në Superiore, ku ia ka dalë të dërgojë edhe titullin në shtëpi. Për të mos e vënë në diskutim kryesimin, bardhëjeshilët duhet që të fitojnë domosdoshmërisht edhe këtë fundjavë, ku do të presin në shtëpitë e tyre ekipin e Dinamos. Situata në kampin e tyre duket e mirë dhe optimiste, teksa kanë gati edhe “armët” për të mundur blutë e kryeqytetit.

Screenshot 2025-10-17 133253

Kur kanë kaluar gjashtë javë kampionat, është krijuar një pasqyrë e qartë për çdo skuadër dhe rrogozhinasit duan që të mundin Dinamon me të huajt që kanë në ekip. Janë ata që në njëfarë mënyre janë “shkrirë” si duhet me pjesë e shqiptarëve dhe po zënë gjithnjë e më shumë një vend të rëndësishëm në skuadrën që drejtohet nga Edlir Tetova.

KOMBËSI TË NDRYSHME – Ekipi i Egnatias këtë sezon, por edhe në të kaluarën, është një shembull i qartë i një skuadre që nuk bazohet vetëm tek futbollistët vendas, por ka zgjeruar horizontet dhe ka integruar lojtarë nga vende të ndryshme. Përveç lojtarëve shqiptarë dhe kosovarë, ky grup përbëhet nga futbollistë që vijnë nga shtatë shtete të tjera, duke reflektuar një diversitet të thellë gjeografik dhe kulturor.

Në krye të listës qëndrojnë tre brazilianë: Fernando, Xheferson dhe Leo Melo, të cilët përfaqësojnë ndikimin e futbollit të Amerikës së Jugut. Nga Azerbajxhani vjen Zamig Alijev, ndërsa Guliem Haime është përfaqësuesi i Spanjës. Nga Belgjika, skuadra ka Alesandro Albaneze që ka edhe nënshtetësinë italiane, ndërsa Soumaila Bakajoko përfaqëson Bregun e Fildishtë. Nga Gana vjen Muhamed Jahaja dhe Nikola Buriç është përfaqësuesi i Kroacisë.

Nga Kosova, rrogozhinasit kanë tre lojtarë: Arbenit Xhemajli, Altin Kryeziu dhe Kastriot Selmani, të cilët shtojnë një dimension të njohur tashmë për klubin, duke pasur lidhje kulturore dhe gjuhësore më të afërt. Praktikisht janë plot nëntë lojtarë të huaj, pa llogaritur edhe tre nga Kosova, ndërsa pjesa tjetër janë futbollistë shqiptarë. Pavarësisht se vijnë nga kultura futbollistike të ndryshme, kjo nuk ka penguar ekipin që të performojë stabilitet dhe të qëndrojë në krye të renditjes, si sezonet e kaluara, ashtu edhe këtë vit. Në njëfarë mënyre ky është edhe një nga sekretet e rezultateve të rrogozhinasve këtë sezon dhe jo vetëm, ku ka gjetur harmoninë mes lojtarëve që e njohin mirë kampionatin shqiptar dhe atyre që kanë ardhur të integrohen nga vende mijëra kilometra larg Shqipërisë, por edhe po kaq larg kulturës së futbollit të tyre ndaj tonit.

Screenshot 2025-10-17 133210

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL