Tetova do skuadër ndryshe tek Egnatia, presioni te treshja Buriç-Gruda-Selmani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2025 | 20:11

Tetova do skuadër ndryshe tek Egnatia, presioni te treshja Buriç-Gruda-Selmani

Për një skuadër që synon gjithnjë të fitojë dhe në fund të shpallet kampion, shënimi i golit mbetet objektiv kryesor në çdo ndeshje. Herë arrihet dhe herë jo, sepse i tillë është futbolli, por kur kalojnë disa ndeshje dhe kjo gjë nuk ndodh, atëherë kthehet në një problem serioz dhe një presion të madh për ekipin.

egnatia

I tillë është ndoshta edhe rasti tek Egnatia, një skuadër që në dy javët e para të kampionatit ka shënuar vetëm një gol dhe pikërisht me një mbrojtës në ndeshjen ndaj Elbasanit. Ky start jo i zakontë për një ekip që zakonisht njihet për forcën e tij sulmuese, ka ndezur “dritat e alarmit” në kampin rrogozhinas.

PRESIONI I “TRIOS” – Egnatia nuk e ka fshehur kurrë ambicien e saj për të luftuar për kreun, por për ta bërë këtë, duhet të gjejë me patjetër rrugën e rrjetës. Pikërisht për këtë arsye, në Ballsh trajneri Edlir Tetova i ka varur shpresat tek treshja e sulmit. Bëhet fjalë për Buriç, Grudën dhe Selmanin, të cilët në dy ndeshjet e para e kanë nisur si titullarë, por pa lënë gjurmë. Janë tre lojtarë të ardhur këtë merkato, të cilët nuk e njohin ende mirë njëritjetrin, gjë që ka sjellë edhe vështirësi në koordinim dhe në ndërtimin e manovrës ofensive.

Në Ballsh, ndaj një rivali të fortë dhe gjithmonë agresiv si Bylisi, pritet reagimi i madh. Kuptohet që presioni më i madh është tek kjo treshe, mbi të tjerët. Buriç shihet si pika e referencës në qendër, një sulmues që duhet të përdorë fuqinë fizike për të mbajtur mbrojtjen kundërshtare të angazhuar dhe për të hapur hapësira për shokët. Gruda, i njohur për shpejtësinë dhe driblimet në krah, ka marrë porosi të qarta nga stafi teknik për të qenë më vendimtar në zonë dhe jo vetëm në ndërtimin e aksioneve. Ndërkohë, Selmani, që pritet të sjellë freskinë dhe “instiktin e golit” duke parë edhe eksperiencën që ka.

DIREKTIVAT E TETOVËS – Në stërvitjet e fundit, Tetova ka insistuar shumë te lëvizjet pa top dhe finalizimi. Atmosfera në skuadër duket e ngarkuar, pasi të gjithë e dinë se pa golat nuk ka fitore dhe pa fitore, objektivi i madh i titullit bëhet gjithnjë e më i largët. Për këtë arsye, sfida në Ballsh shihet si një provë e rëndësishme karakteri, ku treshja ofensive e Egnatias duhet të tregojë pse është zgjedhur për të udhëhequr repartin më të rëndësishëm të lojës.

Nëse sulmuesit arrijnë të zhbllokohen, atëherë Egnatia jo vetëm që do të marrë frymëmarrje, por edhe do të rikthejë besimin se kjo skuadër është e denjë për të luftuar deri në fund për kampionatin. Përkundrazi, nëse heshtja e tyre vazhdon, presioni do të bëhet edhe më i madh, si për lojtarët, ashtu edhe për vetë Tetovën, i cili e di se koha në futboll është gjithmonë e shkurtër dhe fitoret janë ilaçi i vetëm për të ulur tensionin.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL