Telashi i FSHF, ndërhyn Komiteti Ekzekutiv për titullin kampion
Federata Shqiptare e Futbollit ndryshoi axhendën e Final Four, vetëm disa ditë më parë. Ishte Egnatia që prishi planin fillestar, pasi u fut në garë për titull dhe madje kryeson duke qenë shumë pranë trofeut.

FSHF vendosi që të ndryshojë axhendën, duke mos lejuar mundësinë e Egnatias për të festuar para kohe. Kështu Egnatia-Dinamo do të luhet më 31 maj prej orës 19:00 në “Elbasan Arena”. Njësoj si Elbasani-Vllaznia në “Air Albania”.
Telashi për FSHF lidhet me ceremonitë dhe se ku do të qëndrojë trofeu. Një rast i ngjashëm mund të shërbejë si precedent. Pesë vite më parë, në javën e fundit të kampionatit, fituesi i titullit mund të vendosej në Ballsh, Durrës dhe Shkodër.
Komiteti Ekzekutiv në FSHF vendosi që të organizoheshin tre ceremoni dhe trofeu i kampionit të ishte në të tre qytetet në fjalë. Vetë presidenti Armand Duka do të udhëtonte drejt stadiumit ku do të dorëzohej titulli, menjëherë pas verdiktit përfundimtar. Ishte stadiumi “Niko Dovana” ku presidenti Duka u shfaq dhe Teuta fitoi titullin kampion.
Mbetet për t’u parë cili skenar do të ndiqet këtë herë. Në edicionet e Final Four deri tani, nuk ishte parashikuar ky skenar që erdhi në mënyrë të papritur. Dhe pse titulli kampion supozohej se do festohej në “Air Albania”, rezulton që mund të jetë “Elbasan Arena”.
LEXO EDHE
Katër skuadra për titull, FSHF-ja zbulon axhendën. Trofeu i kampionit do jetë në…
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













