“Të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë”, Tetova analizon humbjen dhe shpjegon situatën e Bakajoko: Do i japim minuta
Pas serisë së rezultateve pozitive, Egnatia u ndal këtë fundjavë në një përballje të fortë ndaj Elbasanit, duke pësuar një humbje që ndërpreu ecurinë e mirë të skuadrës. Një ndeshje e luftuar, e cila u komplikua për rrogozhinasit pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Haime në pjesën e parë.

Trajneri Edlir Tetova e pranon se episodi i kartonit të kuq ndikoi ndjeshëm në rrjedhën e lojës, por kërkon të mos dramatizojë situatën. Për të, kjo humbje nuk ndryshon qëndrimin apo objektivat e Egnatias, që mbetet e fokusuar te përmirësimi i vazhdueshëm dhe rikthimi i menjëhershëm në rrugën e fitoreve. Në një prononcim pas ndeshjes, Tetova foli për ndikimin e inferioritetit numerik, për rëndësinë e pushimit që vjen, si dhe për pritshmëritë që ka skuadra në pjesën e dytë të sezonit, ku çdo ndeshje do të ketë peshë të madhe për objektivat e kampionatit. Ai sqaron edhe situatën me Bakajonon, i cili tani po merr minuta me skuadrën.
Tetova, një humbje që duket se erdhi edhe për shkak të kartonit të kuq. Si e patë ndeshjen?
Sigurisht, kartoni i kuq bëri diferencën, sepse mbetëm me një lojtar më pak. Është kartoni i gjashtë i kuq deri tani dhe kjo nuk është normale, por mendoj se duhet të shohim përpara. Problemi i vetëm në këtë ndeshje ishte mungesa e alternativave në të djathtë të mbrojtjes, pasi nuk kishim me kë të zëvendësonim Haimenin. Megjithatë, në pjesën e parë kemi qenë dominues. E kishim përgatitur ndeshjen që të ishim pak më të tërhequr në start, për të manovruar më shumë në pjesën e dytë, por asgjë nuk shkoi sipas parashikimeve.
Pushimi mendoni se vjen në momentin e duhur?
Vjen pas nëntë rezultateve pozitive dhe një humbjeje, prandaj nuk është diçka për t’u shqetësuar. Duhej të kishim më shumë përqendrim në pjesën e parë, sepse toleruam para portës. Pushimi na jep mundësinë të reflektojmë dhe të përmirësojmë disa detaje që në ndeshjet e ardhshme të mos përsëriten.
Në letër, kalendari duket më i lehtë tani që keni ndeshje me ekipet e fundit. E shihni kështu?
Jo, nuk besoj se kalendari zbutet. Në fazën e dytë çdo ndeshje është e fortë, sepse të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë. Asnjë përballje nuk është e lehtë. Do të jetë një pjesë kampionati shumë e ngjeshur dhe e vështirë për të gjithë.
A është ky sezon më i vështirë për Egnatian që të mbrojë titullin?
Unë personalisht jam i fokusuar tek ekipi im. Nuk është se na mungojnë rastet për gol, por mungon finalizimi i saktë. Duhet të jemi më të qetë në zonë. Sigurisht që pushimi do të na ndihmojë për t’u rikthyer më të freskët dhe më të përqendruar.
Si është situata me Bakajokon, që po aktivizohet gradualisht?
Bakajoko vjen pas një dëmtimi rreth 25-ditor. Tani është pjesë e grupit dhe po përpiqemi t’i japim minutat e duhura për ta rikthyer në formën më të mirë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













