Te Bylisi nuk i frikësohen Tiranës, kapiteni Abazaj: Jemi gati!
Bylisi është totalisht me mendjen te Tirana, duelin e 23 gushtit që starton në orën 17:00 në “Adush Muçaj”.

Afrimet e fundit janë adaptuar shumë mirë tek Bylisi, si mbrojtësi 19-vjeçar Koita, i cili ka qenë edhe në stërvitje më parë, në një periudhë testi, por edhe portieri Jeremy, ashtu edhe mbrojtësi Carmona. Bylisi duket se forcoi portën dhe prapavijën, teksa merkato ka edhe afro dy javë nga mbyllja e saj.
Në Ballsh po shohin edhe për 1-2 lojtarë që do të bëjnë diferencën. Nëse konkretizohen, skuadra do të jetë shumë solide dhe me pretendime konkrete në sezonin e ri. Mallakastriotët e kanë ekipin dhe kanë marrë shenja pozitive, ndërsa duhet theksuar se në miqësoret e luajtura kanë rënë në sy barazimet në katër teste: me Lushnjën 0-0 në Ballsh, me Apoloninë 1-1 në Fier dhe me Partizani 0-0 në Tiranë. Pa harruar edhe testin e fundit me skuadrën e Superligës greke, Panetolikos, 0-0 në Agrinjo. Rezultate që tregojnë se skuadra duket e konsoliduar nga pas, por që i duhet me patjetër të gjejë golin, ndaj edhe drejtuesit nuk do të reshtin që deri në sfidën me Tiranën të kenë merkaton e realizuar.
Marin Abazaj, kapiten te Bylisi vjet dhe një nga lojtarët me më shumë sezone, duket se i bën një analizë merkatos, fazës dhe startit. Për “Panorama Sport”, Marin Abazaj ka pohuar: “Gjatë verës kemi pasur largime, por edhe disa afrime, që kanë zëvendësuar të larguarit, dhe mendoj që janë lojtarë të cilët do të na shërbejnë shumë.
Presidenca ka punuar që bashkë me stafin të bëjnë zgjedhjet e nevojshme për përballimin e garës së sezonit aktual. Qëllimi ynë është që edhe në sezonin e ri ta nisnim aty ku e lamë, dhe unë kam besim që Bylisi do të vazhdojë që të jetë ‘kockë e fortë’ në Superiore, duke u përfaqësuar akoma më denjësisht se vjet. Ruajtja e grupit dhe afrimet do të bëjnë që ne të kemi ambicie edhe më të mëdha.
E nisim me Tiranën në Ballsh, ndaj edhe duke qenë se është sfida e parë duhet që ta nisim mbarë dhe me pikët e plota, këtë e them duke mos e nënvlerësuar kundërshtarin, por duke bërë më së shumti llogaritë tona”, tha Marin Abazaj, një nga lojtarët me eksperiencë te Bylisi.
Brenda gushtit, Bylisi ka dy sfidat e para të sezonit. Javën e parë në Ballsh me bardheblutë dhe më 30 gusht me Flamurtarin në Vlorë. Mallakastriotët duan që ta nisin ndryshe këtë sezon, me “laps e letër”, pasi e kanë të artë se në Superiore çdo pikë është shumë e rëndësishme dhe mbijetesën vjet e siguruan vetëm në javën e fundit në Korçë. Kurse këtë sezon synojnë më shumë, në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













