Të bindur te fitorja, Luis Felipe: Vora mbijeton, dëshiroj t’i shënoj Elbasanit
Vora, ditën e djeshme ka mbyllur seancat stërvitore në kuadër të përgatitjeve për takimin kundër Elbasanit dhe çdo gjë tashmë është në gatishmëri të plotë, për tu vënë në shfrytëzim pikërisht për këtë ndeshje vendimtare në luftën e tyre për mbijetesën, ku kërkohet vetëm fitore.

Trajneri Bellaj ka siguruar edhe formacionin që do të jetë në këtë përballje, ku parashikohen tre mungesa siç është ajo qendërmbrojtësit Serjan Repaj të pezulluar për shkak kartonësh si dhe të Bernard Karricës dhe Françesko Hasaj që ende kanë shqetësime nga dëmtimet e mëparshme. Kjo ndeshje është vlerësuar si një nga më jetiket në luftën e mbijetesës dhe premtohet nga të gjithë stafi e lojtarët, se do ta mbyllin këtë 90-minutësh me fitore, duke pritur dhe hapat fals të rivalëve.
PRONONCIMI – Lidhur me takimin e përballjes mes kryesuesve dhe skuadrës që lufton për mbijetesën, qendërsulmuesi brazilian, 25-vjeçari Luis Felipe, që po shfaqet gjithnjë e më i rrezikshëm për portat kundërshtare premton tifozëve vorakë, që të jenë sa më të shumtë në stadiumin “Vora” për të shijuar këtë fitore të mbijetesës, pasi ai e ka fituar simpatinë e tyre. Gjatë prononcimit të tij për “Panorama Sport” Luis Felipe shprehet i bindur te fitorja.
“Vora mbijeton dhe unë dua t’i shënoj Elbasanit”, janë fjalët e menjëhershme të brazilianit që ka luajtur 25 ndeshje me Vorën këtë sezon dhe ka shënuar 4 gola për ta. Më tej ai shprehet: “Në këtë fazë të katërt kemi treguar se skuadra jonë është e aftë të përballojë sfida të fuqishme si ajo që kaluam me kampionët apo me rivalin tjetër Flamurtarin. Kemi luftuar fort për të shuar ankthin e tifozëve në sigurimin e mbijetesës. Kemi ende beteja për të fituar që kjo enigmë, përfundimisht të mbyllet.
Po luftojmë me të gjitha forcat që edhe këtë herë të dalim me kokën lart e triumfues. U garantoj tifozëve se Vora, i ka të gjitha mundësitë që ta fitojë këtë sfidë, madje për ne është një detyrim edhe moral për ta kryer këtë mision para tifozëve tanë. Elbasani është një skuadër mjaft e fortë, por ne kemi shumë arsye për të marrë tri pikë ndaj tyre, prandaj ne nuk do ta diskutojmë trepikëshin”, ka përfunduar prononcimin e tij futbollisti që e ka aventurën e parë në Europë që pas 1 korrikut të vitit të kaluar, kur ju bashkua Vorës pasi la mënjanë kampionatin e Mineirros në Brazil, Luis Felipe.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













