Taku: S’po bindim në lojë, por jemi të parët
Afrim Taku e pranon që kjo Tiranë nuk po bind, megjithatë ai u rikujton skeptikëve se ata janë të parët. Mesfushori në një prononcim të dhënë dje për mediat, ka analizuar ecurinë e deritanishme, teksa nuk ka ngurruar që të flasë për objektivat. Nuk i ndan dot rivalët nga njëri-tjetri, mirëpo për një gjë është i sigurt: bardheblutë janë më mirë se të tjerët dhe këtë e vërteton më së miri pozicioni në renditje.
“Është një nisje e mbarë, për çka jemi të kënaqur. Kemi punuar shumë, duke marrë tri fitore në po kaq ndeshje. Megjithatë, në vijim duhet të jemi më të përgatitur sepse na presin ndeshje edhe më të vështira. Dhashë asist në Shkodër, por e rëndësishme është që në fund të atij takimi morëm tri pikët.
Ndihem mirë që pata mundësinë për të kontribuar edhe unë në atë fitore. Me Elbasanin nuk do të jetë e lehtë. Edhe pse Elbasani ndodhet në vendin e parafundit, sërish mbetet një kundërshtar për t’u vlerësuar. Do të jetë një 90-minutësh si gjithë të tjerët që kemi zhvilluar deri tani. Më parë të arrijmë fitoren nesër, kemi kohë deri për sfidat e tjera. Do përpiqemi ta mbyllim shpjet takimin, ndonëse rëndësi kanë tri pikët. Fakti që i mbyllim ndeshjet në fund, është pikë e fortë. Kjo tregon se skuadra ka forcë karakteri dhe se beson deri në fund te suksesi, duke mos u dorëzuar në asnjë moment. Kulmi ynë do të jetë në fund të kampionatit, kur të fitojmë titullin kampion.
Mendoj se kemi bërë paraqitje pozitive dhe se kemi pasur ecuri të mirë. Shpresoj që të vazhdojmë në këtë rrugë. Të tri ekipet që konkurrojnë me Tiranën për titullin kampion janë realisht të forta. Nuk mund të bëj ndonjë diferencim. Por ne jemi më të fortë, përderisa jemi në vendin e parë”, tha fillimisht ai. I ndryshon shpesh rolet, sa në mesfushë e në mbrojtje, por kjo gjë nuk e shqetëson. “Është një pyetje që më bëhet shpesh dhe gjithnjë kam deklaruar se, edhe pse roli im natyral është ai i mesfushorit, unë do të luaj në atë pozicion që do të më caktojë trajneri. Është ai që vendos për këto çështje”, përfundoi Taku













