Takimi i ajrit, shpallen kampionët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2014 | 11:13

Takimi i ajrit, shpallen kampionët

qitjeFederata Shqiptare e Qitjes ka organizuar takimin kombëtar të ajrit, aktiviteti i parë në projekt-kalendarin e 2014-s në kushtet e bllokimit financiar. Skuadrat pjesëmarrëse ishin Studenti, Tirana dhe Elbasani dhe në total garuan 27 qitës. Fitues në ushtrimin e pistoletës u shpallën Marjana Mata e Tiranës me 369 pikë e Arben Cerina i Studentit me 568 pikë, ndërsa në ushtrimin e pushkës, vendin e parë e zunë Lumturi Pepa e Studentit me 371 pikë të grumbulluara dhe qitësi i Elbasanit Olsi Avllazagaj me 521 pikë. Risi e takimit kombëtar ka qenë promovimi i elementëve të rinj. Me iniciativën e përbashkët të klubit shumësportësh Studenti dhe dy të mirënjohurave të trajningut të qitjes në vendin tonë Lumturi Pepa dhe Djana Mata, kryeqytetasit u përfaqësuan me mjaft qitës të rinj të prespektivës. Në pistoletë debutuan Melisa Pavle, Devora Sheka e Ahmet Ali, ndërsa në pushkë Muhamet Ali, Kledio Elezi, Erald Muhaj, Arbër Tervoli dhe Artur Xhaferraj. Trajnerja Pepa tha për gazetën se veç këtyre qitësve, klubit të Studentit i janë afruar edhe mjaft të rinj të tjerë, të cilët do të kenë mundësinë të testojnë veten në garën e ardhshme. “Studenti na ka krijuar mundësinë për ta rritur numrin e qitësve të rinj. Ndonëse mund të cilësohemi si të favorizuar pasi ky është poligoni i vetëm që funksionon në Shqipëri, vështirësitë që hasim me armët janë të shumta. Në mungesë të bazës materiale, jemi të detyruar që me një armë të konkurrojnë disa sportistë. Përtej kësaj, e them me siguri se në një të ardhme të afërt njëri prej këtyre të rinjve do të ngrejë lart flamurin tonë në botë”, tha trajnerja Pepa.

PISTOLETË FEMRA
Marjana Mata (Tirana) 369
Edlira Shyti (Tirana) 363
Sibroa Dingu (Tirana) 325
PISTOLETË MESHKUJ
Arben Cerina (Studenti) 568
Besnik Hajdari (Studenti) 540
Zalo Hoxha (Studenti) 538
PUSHKË FEMRA
Lumturi Pepa (Studenti) 371
Anila Sevo (Studenti) 357
Dhurata Prifti (Studenti) 341
PUSHKË MESHKUJ
Olsi Avllazagaj (Elbasan) 521
Gëzim Bici (Studenti) 508
Rajter Shima (Tirana) 494