Liga e Europës në volejboll, Shqipëria zbret sot në parket me vajzat dhe djemtë
Kjo fundjavë do ta gjejë të impenjuar Shqipërinë e volejbollit, pasi si përfaqësuesja e vajzave, gjithashtu edhe ajo e djemve, do të zbresin në parket për ndeshjet e Ligës së Europës në fazën e grupeve. Duke e nisur nga ekipi i vajzave, Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajneri italian Nikola Korneli, pasi kaloi me sukses fazën paraeliminatore, do të debutojë në grupe, fazë që zhvillohet me tre grumbullime. Grumbullimi i parë do të jetë në Nokia të Finlandës, me Shqipërinë që sot në orën 16:00 luan kundër Zvicrës, ndërsa të dielën në të njëjtën orë do të përballet me vendëset finlandeze.

Shqipëria do të jetë në këto takime pa lojtaren më të mirë, kapitenen Erblira Bici, e cila nuk është grumbulluar, me motivacion për probleme fizike. Më tej, më datat 12-14 qershor do të jetë radha e xhiros së dytë në Rumani, me vajzat kuqezi që do të luajnë kundër rumuneve dhe kundër Malit të Zi. Ndërsa xhiro e tretë do të zhvillohet në Tiranë më datat 19- 21 qershor, me Shqipërinë që sfidon Suedinë dhe Austrinë. Duke kaluar te Kombëtarja e meshkujve, përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri Jani Melka rikthehet në pjesëmarrjet ndërkombëtare pas një mungese 4-vjeçare.
Shqipëria do të luajë në grumbullimin e parë që do të mbahet në Poprad të Sllovakisë, ndërsa sot në orën 16:00 do të sfidojë Estoninë. Të dielën, në të njëjtën orë, kuqezinjtë do të përballen me Sllovakinë vendëse. Më tej, grumbullimet e tjera do të jenë në Finlandë më datat 12-14 qershor, aty ku Shqipëria do të luajë kundër Finlandës dhe Kroacisë. Ndërsa, grumbullimi i tretë do të jetë në Tiranë më datat 19-21 qershor, me kuqezinjtë që do të matin forcat kundër Danimarkës dhe Kroacisë.

PANORAMASPORT.AL













