Superiore/ Moment kyç i sezonit, “Demat” përballë “Tigrave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2026 | 11:00

Superiore/ Moment kyç i sezonit, “Demat” përballë “Tigrave”

Partizani zbret sot në fushë për ndeshjen e javës së 22-të, në “Arenën e Demave” ndaj Elbasanit, sfidë e cila është parashikuar të nisë në orën 16:30.elbasani-partizaniTë kuqtë, kërkojnë të harrojnë “shijen e hidhur” të disfatës në Shkodër ndaj Vllaznisë teksa kërkojnë gjithashtu që të mbeten ende të perfshirë në “vallen” e katërshes së parë për të siguruar një vend në “Final Four”, me diferencën që aktualisht mbetet në shtatë pikë nga vendi i katërt që mbahet nga Dinamo. Shtatë, pikë është gjithashtu edhe diferenca që ndan Demat nga vendi i tetë, ndaj një trepikësh do të garantonte gjithashtu edhe qetësi sa i takon skuadrave që vijnë pas tyre në klasifikim, pasi gara bëhet gjithnjë e më e ashpër nga java në javë.

Nga ana tjetër, Elbasani mbërrin në këtë sfidë me një objektiv krejt tjetër nga kryeqytetasit pasi verdheblutë triumfuan në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Dinamos dhe më shumë se kurrë janë të përfshirë në garën për titullin kampion duke qenë se aktualisht renditen të tretët me 38 pikë, vetëm një pikë larg kryesuesve të Vllaznisë. Ndërkohë, për t’u rikthyer te përballjet direkte mes Partizanit dhe Elbasanit, bilanci flet për verdheblutë. Në dy ndeshjet e para të këtij sezoni, Elbasani ia doli të fitonte ndaj të kuqve pikërisht në “Arenën e Demave” 1-0 falë një goli të Bunjakut, ndërsa në takimin e dytë në Elbasan, ndeshja u mbyll në barazim 0-0.

Sakaq, Partizani edhe në këtë ndeshje do të vuajë mungesën e disa lojtarëve si Janjeva që ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë, (për po të njëjtën arsye do të mungojë edhe Musta te Elbasani), kapiteni Atanaskoski që vuan një frakturë në brinjë ndërsa mungon po ashtu Preka, Dumbia e Albion Marku që tashmë dihet se e ka mbyllur sezonin. Nga ana tjetër, janë rikuperuar Adnard Mehmeti dhe Kamer Qaka që vuanin një virozë ndërsa në dispozicion do të jenë edhe dy transferimet më të fundit në këtë merkato, Laorent Shabani e David Fadairo që iu bashkuan kryeqytetasve pas aventurës me Teutën.

PANORAMASPORT.AL