Tomori dhe Naftëtari ende pa trajnerë, sportdashësit presin lëvizjet e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2026 | 14:18

Tomori dhe Naftëtari ende pa trajnerë, sportdashësit presin lëvizjet e para

Edhe pse sezoni i ri futbollistik po afron, te Tomori dhe Naftëtari ende nuk ka asnjë vendim zyrtar sa i përket stafeve teknike. Dy klubet me traditë të qarkut të Beratit vijojnë të jenë në fazën e pritjes, ndërsa sportdashësit kërkojnë më shumë qartësi për projektet e sezonit të ardhshëm.

TOMORI NAFTETARIIIII

Pushimet verore në Kategorinë e Dytë janë zakonisht të gjata, pasi kampionati nis vetëm në mesin e muajit shtator. Megjithatë, tifozët e Tomorit dhe Naftëtarit presin që klubet të hedhin sa më shpejt hapat e parë për ndërtimin e skuadrave konkurruese. Sipas burimeve pranë institucioneve vendore, aktualisht po diskutohen projekte që lidhen me të ardhmen e klubeve, ku një nga temat kryesore mbetet privatizimi. Ky proces shihet si një mundësi për t’i dhënë një tjetër impuls dy skuadrave me histori të futbollit shqiptar. Ajo që bie në sy është mungesa e vendimeve për pankinat respektive. Deri tani nuk ka as rikonfirmime të trajnerëve që mbyllën sezonin e kaluar dhe as emërime të reja, çka po vonon edhe planifikimin e merkatos.

Shumë specialistë dhe sportdashës mendojnë se drejtuesit vendorë duhet të veprojnë sa më shpejt për të përcaktuar stafet teknike, në mënyrë që trajnerët të kenë kohën e nevojshme për të ndërtuar ekipet dhe për të afruar futbollistët e duhur. Ish-portieri i njohur beratas, Fatos Çilingiri, thekson se faktori kohë është vendimtar për suksesin e sezonit të ri. “Vonesat nuk i shërbejnë askujt. Trajnerët duhet të kenë kohën e nevojshme për të ndërtuar skuadrën dhe për të planifikuar merkaton. Tomori dhe Naftëtari janë skuadra me traditë dhe duhet të synojnë rikthimin në nivelet që meritojnë”, u shpreh Çilingiri. Për momentin, si në Berat ashtu edhe në Kuçovë, pritet sinjali i parë zyrtar nga klubet për të nisur konkretisht përgatitjet për sezonin e ri.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL