Pogradeci pa “frena” në merkato, merr dy lojtarë të kombëtares së Namibisë nga Liria e Prizrenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2026 | 13:40

Pogradeci pa “frena” në merkato, merr dy lojtarë të kombëtares së Namibisë nga Liria e Prizrenit

Pogradeci vijon të jetë shumë aktiv në tregun kosovar dhe drejtuesit e klubit duket se kanë identifikuar përforcimet e duhura për të ndërtuar një skuadër konkurruese, me objektivin e qartë: ngjitjen në Kategorinë Superiore në sezonin 2026-2027.

KUSUME KUMBATE POGRADEC

Sipas raportimeve që vijnë nga Kosova, liqenorët kanë arritur marrëveshjen me mesfushorin qendror Romeo Kasume, ndërsa janë shumë pranë finalizimit edhe të transferimit të sulmuesit të krahut Ueturu Kambato. Të dy futbollistët kanë qenë pjesë e Lirisë së Prizrenit gjatë dy sezoneve të fundit dhe janë gjithashtu lojtarë të përfaqësueses së Namibisë. Sipas “Zëri Sport”, marrëveshja me Kasumen është mbyllur përfundimisht. Mesfushori 28-vjeçar ka firmosur kontratën me Pogradecin dhe zyrtarizimi pritet të vijë në ditët në vijim. Ai ishte pjesë e Lirisë që nga viti 2024 dhe numëron tetë paraqitje me kombëtaren e Namibisë. Ndërkohë, emri tjetër që lidhet ngushtë me klubin pogradecar është ai i Ueturu Kambatos.

Sulmuesi anësor ndodhet në bisedime të avancuara me drejtuesit e Pogradecit dhe palët janë pranë një marrëveshjeje përfundimtare. Te Pogradeci besojnë se Kambato do të ishte një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv, në përpjekjen e klubit për të realizuar ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar, pas dy tentativave të dështuara në finalet e “play-off”-it. Edhe 28-vjeçari është pjesë e Lirisë që nga viti 2024 dhe ka regjistruar katër ndeshje me kombëtaren e Namibisë. Me këto lëvizje, liqenorët synojnë të hedhin baza të forta për sezonin e ri, duke shpresuar që tentativa e tretë të rezultojë më në fund e suksesshme.

Skeda

 

Ueturu Kambato

Datëlindja: 24.01.1998

Vendlindja: Namibi

Pozicioni: Sulmues anësor i djathtë

Skuadra e fundit:

Liria e Prizrenit

 

 

Skeda

Romeo Kasume

Datëlindja: 21.10.1997

Vendlindja: Namibi

Pozicioni: Mesfushor qendror

Skuadra e fundit:

Liria e Prizrenit

PANORAMASPORT.AL