Trajneri Hallaçi drejt konfirmimit në krye të Sopotit, nisin largimet e para te librazhdasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2026 | 12:11

Trajneri Hallaçi drejt konfirmimit në krye të Sopotit, nisin largimet e para te librazhdasit

Rraman Hallaçi pritet të jetë trajneri i Sopotit edhe për sezonin e ri. Pas punës së mirë të bërë në Kategorinë e Dytë dhe suksesit të arritur me ngjitjen e skuadrës në Kategorinë e Parë, drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i besojnë sërish trajnerit kuksian drejtimin e ekipit edhe për sezonin 2026-2027.

hallaci

Në ditët në vijim pritet që palët të formalizojnë marrëveshjen me firmosjen e kontratës së re, duke vijuar kështu bashkëpunimin që rezultoi i suksesshëm sezonin e kaluar. Ndërkohë, gjatë muajit korrik, Sopoti do të nisë grumbullimin përgatitor në prag të kampionatit të ri. Paralelisht me konfirmimin e stafit teknik, drejtuesit po punojnë edhe për ndërtimin e skuadrës, duke diskutuar me futbollistët që do të rinovojnë kontratat, si dhe me ata që pritet të largohen. Sa i përket merkatos në dalje, librazhdasit kanë zyrtarizuar edhe largimin e parë.

Bëhet fjalë për Erlind Qehajën, me të cilin klubi ka ndërprerë bashkëpunimin. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sopoti njoftoi: “Klubi ndërpret bashkëpunimin me lojtarin Erlind Qehaja. E falënderojmë për kontributin e dhënë në ekipin tonë dhe i urojmë suksese në vazhdim të karrierës së tij sportive. Faleminderit, Erlind Qehaja”. Ndërkohë, krahas punës për ndërtimin e skuadrës, në Librazhd po punohet edhe në infrastrukturë, me synimin që stadiumi të plotësojë kushtet dhe standardet e nevojshme për zhvillimin e ndeshjeve të Kategorisë së Parë.

PANORAMASPORT.AL