EKSKLUZIVE/ Nga gara në protestë, Nikolli apel për situatën në vend: Sportistët të çohen për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2026 | 10:52

EKSKLUZIVE/ Nga gara në protestë, Nikolli apel për situatën në vend: Sportistët të çohen për të ardhmen

David Nikolli, rekordmen dhe një nga atletët më të mirë të Shqipërisë, ka marrë vëmendje së fundmi, jo vetëm me rezultatet e tij të shkëlqyera në pistë. Kampion i dyfishtë në kampionatin kombëtar që u zhvillua pak ditë më parë në Elbasan, me medaljet në qafë, direkt nga podiumi, ai iu bashkua valës së protestave në Tiranë.nikolliNë një intervistë për “Panorama Sport”, atleti elitar i Shqipërisë rrëfehet mes pistës dhe përfshirjes së tij në situatën aktuale që po kalon vendi. Teksa tregon vështirësitë, duke e nisur nga familja e tij, Nikolli ka një mesazh për sportistët dhe jo vetëm, duke kërkuar që të gjithë të bashkohen për një të ardhme më të drejtë dhe më dinjitoze.

David, u shpallët kampion kombëtar në dy disiplina të atletikës, në 5000 dhe 10000 metra. Si do ta komentoni rezultatin dhe paraqitjen që realizuar në garat që u zhvilluan në Elbasan?

Jam shumë i lumtur për këtë sukses. Është rezultat i punës, sakrificës dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Të shpallesh kampion në dy disiplina është një kënaqësi e madhe dhe një motivim për të vazhduar më fort. Dua të falënderoj klubin tim Partizani, presidentin Shkëlqim Muça dhe trajnerin Sabri Bejleri, të cilët më kanë qëndruar gjithmonë pranë dhe kanë bërë gjithçka në dorën e tyre për të më mbështetur në çdo moment. Është një klub shumë i mirë, me njerëz që punojnë me zemër, por që ka edhe vështirësitë e veta. Nëse do të kishte më shumë mbështetje nga shteti, ky klub do të ishte kampion jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë, direkt pas garës, nga podiumi i Elbasanit, me medaljet në qafë, erdhët në Tiranë duke iu bashkuar protestës. Për çfarë proteston David Nikolli dhe si e shihni këtë lëvizje që po ndodh në Shqipëri?

Unë protestoj sepse kushtet për sportistët në Shqipëri janë të mjerueshme. Nuk mungon talenti apo dëshira, por mungojnë gjërat bazë si infrastruktura, materialet dhe kushtet minimale për t’u stërvitur seriozisht. Mungojnë edhe gjërat më elementare si veshjet, këpucët, pajisjet bazë për stërvitje dhe shpesh edhe kushtet rreth pistës si tualete apo dushe për atletët. Dhe këto janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve, sepse realiteti është shumë më i madh. Në Tiranë pista e atletikës është në gjendje shumë të keqe, e ndërtuar keq dhe e lënë pas dore, diçka që nuk e kam parë askund tjetër. Këto nuk janë detaje, por gjëra thelbësore për një sportist. Dhe kur mungojnë këto, është e pamundur të flasësh për zhvillim serioz apo për rezultate. Kjo është arsyeja pse shumë sportistë të rinj po largohen, sepse nuk kanë as kushtet më elementare për të qëndruar dhe për t’u zhvilluar. Vendi ynë po zbrazet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë. Kushdo që ka një mundësi largohet pa u menduar dy herë. Edhe unë jam jashtë vendit, por zemrën e kam gjithmonë në Shqipëri. Megjithatë, në këto kushte nuk mund të jetohet dhe nuk mund të ndërtohet një e ardhme e sigurt. Edhe familja ime është shembulli më i qartë i kësaj situate. Ne jemi 10 fëmijë dhe 23 nipër e mbesa, dhe pothuajse të gjithë jetojmë jashtë Shqipërisë, sepse këtu mungojnë kushtet për të mbajtur të rinjtë. Edhe personalisht kam kaluar një moment shumë të rëndë me nënën time. Vitin e kaluar, pasi shpenzuam mijëra euro në Shqipëri, mjekët i kishin dhënë vetëm 15 ditë jetë. U detyruam ta çonim jashtë vendit për t’i shpëtuar jetën dhe sot ajo është mirë. Kjo tregon qartë realitetin që përjetojnë shumë familje. Unë protestoj për sportistët, për të rinjtë dhe për një Shqipëri që nuk duhet t’i detyrojë njerëzit të largohen për të pasur një jetë normale.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL