Flamurtari pranë marrëveshjes me ish-trajnerin e Partizanit, Beqiri mbetet në skenë
Flamurtari është drejt arritjes së një marrëveshjeje me Oltijon Kërnajën për stolin kuqezi. Vlonjatët po vijojnë punën për ndërtimin e skuadrës dhe stafit teknik për sezonin e ri, teksa emri i Kërnajës mbetet një nga kandidaturat më serioze për të marrë drejtimin e ekipit.

Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se kontaktet mes palëve kanë nisur prej disa ditësh dhe bisedimet po zhvillohen në një klimë pozitive, çka lë të kuptohet se zyrtarizimi mund të vijë shumë shpejt. Gazeta e zbuloi ekskluzivisht disa ditë më parë interesimin e kuqezinjve për Kërnajën. Trajneri 37-vjeçar nga Tropoja konsiderohet një profil në rritje në futbollin shqiptar. Ai vjen pas një eksperience të rëndësishme në krye të Partizanit gjatë sezonit 2025-2026, ndërsa më parë ka drejtuar edhe Partizanin B. Kërnaja ka ndërtuar gradualisht karrierën e tij, duke fituar eksperiencë si zëvendëstrajner te Laçi dhe Kukësi, klube me objektiva të larta në elitën e futbollit shqiptar.
Në të kaluarën ai ka drejtuar gjithashtu Valbonën, Luzin dhe Tërbunin, skuadra ku është vlerësuar për aftësitë në menaxhimin e grupit dhe punën me futbollistët e rinj. Pikërisht kombinimi i energjisë, ambicies dhe njohjes së mirë të kampionatit shqiptar e bën Kërnajën një alternativë tërheqëse për drejtuesit kuqezi. 37-vjeçari la gjurmë pozitive edhe te Partizani, skuadër të cilën e mori në javën e shtatë të kampionatit në një moment të vështirë, me vetëm katër pikë të grumbulluara. Nën drejtimin e tij, të kuqtë përmirësuan ndjeshëm performancën, duke u ngjitur në renditje. Paraqitjet e mira të Kërnajës kishin tërhequr vëmendjen edhe të Laçit, klub ku ai ka punuar më parë si pjesë e stafit teknik.
PISTË EDHE BEQIRI
Një tjetër emër që vazhdon të qarkullojë në ambientet e Flamurtarit është ai i Jeton Beqirit. Trajneri 37-vjeçar vjen pas eksperiencës së fundit te Shkëndija dhe nuk është hera e parë që lidhet me stolin vlonjat. Beqiri ka një CV të pasur, ku spikasin angazhimet si drejtor teknik te Al Jabalain, si dhe eksperiencat në drejtimin e Strugës dhe Renovës. Ai është një figurë e njohur për tifozët vlonjatë, pasi në sezonin 2017-2018 ka qenë zëvendëstrajner i Flamurtarit, në periudhën kur skuadra drejtohej nga Shpëtim Duro. Përvoja e tij dhe njohja e ambientit kuqezi e mbajnë në listën e alternativave për pankinën e Flamurtarit. Pritet që në vijim drejtuesit e klubit të marrin vendimin përfundimtar, ndërsa objektivi mbetet ndërtimi i një projekti konkurrues për rikthimin e Flamurtarit në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













