EKSKLUZIVE/ Canaj analizon klubet shqiptare: Asnjëra nuk arrin në grupet e Europës, pushimet e gjata po i dëmtojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2026 | 12:50

EKSKLUZIVE/ Canaj analizon klubet shqiptare: Asnjëra nuk arrin në grupet e Europës, pushimet e gjata po i dëmtojnë

Kampionati shqiptar ka përfunduar, me Egnatian që arriti të fitonte titullin kampion për herë të tretë, teksa në Europë do të jenë edhe Vllaznia, Dinamo dhe Elbasani. Megjithatë, sipas Agim Canajt asnjëra nga këto skuadra, nuk është në lartësinë e duhur për të arritur në grupet e Europës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Canaj shprehet se pushimi i gjatë i verës, po i dëmton klubet.

agim canaj

Profesor, mbaroi kampionati me Egnatian kampione. Si e vlerëson këtë sezon, bashkë me Final Four-in?

Normalisht, ajo që ka më shumë rëndësi është se ky format tregoi që nuk fitoi skuadra që ishte më e mira gjatë gjithë kampionatit. Për mendimin tim, Vllaznia duhej ta fitonte kampionatin bazuar në 36 ndeshjet e sezonit të rregullt, por e fitoi Egnatia, e cila tregoi një fytyrë tjetër në Final Four. Ajo tregoi pjekuri, diti të menaxhojë stresin dhe tre ndeshjet vendimtare, duke arritur të triumfojë ndaj kundërshtarëve dhe të shpallet kampione. Megjithatë, ajo që po diskutohet më shumë tani është ndryshimi i formulës. Për mendimin tim, kjo formulë e ka mbyllur ciklin e saj.

Sot hidhet shorti i Europës. Egnatia në Champions League, ndërsa ekipet e tjera në Conference League. Si i sheh këto katër skuadra dhe sa larg mund të shkojnë?

Nga ajo që po shohim deri tani, si nga mediat ashtu edhe nga informacionet që qarkullojnë, Egnatia është skuadra që ka bërë lëvizjet më të mira në merkato. Kupat e Europës fillojnë shpejt dhe nuk ke shumë kohë për të rregulluar ekipin. Deri në këto momente, Egnatia ka pasur më pak largime dhe ka afruar lojtarë në pozicionet ku kishte nevojë. Për këtë arsye, mendoj se po menaxhon më mirë situatën. Kjo lidhet edhe me faktin që ka të ardhura më të mëdha krahasuar me skuadrat e tjera. Vllaznia, për momentin, duket më e qetë, por duhet të përshpejtojë lëvizjet, sepse më vonë bëhet më e vështirë të sigurosh lojtarët që dëshiron. Ndërsa Dinamo dhe Elbasani po japin sinjale pozitive, pasi po ruajnë bërthamën e ekipit dhe po përpiqen të plotësojnë boshllëqet që u janë shfaqur gjatë sezonit. Në përgjithësi, të katër skuadrat po bëjnë punën e tyre, por Vllaznia më duket disi më e tërhequr. Ndoshta kjo lidhet me zhgënjimin e madh që përjetoi, pasi pati një ecuri shumë të mirë në kampionat, por jo në Final Four. Elbasani, nga ana tjetër, po tregon stabilitet. Edhe pse e humbi vendin e parë ndaj Egnatias për shkak të golavarazhit, sezoni i tij mbetet një sukses. Sa i përket Dinamos dhe Vllaznisë, mendoj se duhej të kishin arritur më shumë, duke pasur parasysh investimet e bëra. Dinamo kishte një skuadër cilësore dhe, duke parë nivelin e treguar edhe në Europë sezonin e kaluar, pritej më tepër. Gjithsesi, të katër skuadrat po punojnë në heshtje. Egnatia më duket një hap përpara të tjerave. Natyrisht, Champions League është një nivel më i lartë dhe gjithçka do të varet edhe nga shorti. Megjithatë, Egnatia ka avantazhin e titullit kampion, të një buxheti më të mirë dhe të një atmosfere më pozitive. Po punon fort për të plotësuar çdo nevojë të skuadrës dhe stafit teknik.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL