Plot 15 milionë euro! Maran e kontaktoi për Kombëtaren, gjigantët e Turqisë duan “pasuesin” e Hysajt
Arda Kurtulan është një nga lojtarët që kërkohet me ngulm te Fenerbahçe. Klubi do emërojë trajnerin e ri, ndërsa Kurtulan bashkë me Umit Akdag dhe Bertug Jildirim janë dëshirat e drejtuesve.

Transferimi i Kurtulan nuk do të jetë aspak i lehtë. “Fanatik” raporton se kërkohen 15 milionë euro nga Goztepe.
Kurtulan ndërkohë shikohet edhe si opsion për Kombëtaren në të ardhmen. Zëvendëstrajneri i Kombëtares, Ervin Bulku, zbuloi se Rolando Maran e kontaktoi Kurtulanin.
Te Goztepe është penguar për shkak të rregullit të lojtarëve ekstra komunitarë. E paqartë mbetet nëse i njëjti problem do të vazhdonte edhe me firmën te Fenerbahçe. Fakt është se ka tërhequr vëmendje edhe nga jashtë Turqisë. Për këtë çdo pistë mbetet akoma e hapur.
ÇFARË DEKLARONTE ERVIN BULKU
“Për Arda Kurtulan. Hysaj është një nga lojtarët më të mirë të ekipit shqiptar. Jo më kot ka arritur atë shifër rekord si askush më parë. E meriton. Prandaj themi se dera e ekipit kombëtar është e hapur. Që të futesh tek ajo derë, që është shumë e madhe për të ardhur në ekipin kombëtar. Është dëshirë e madhe që ne të kemi sa më shumë lojtarë dhe sa më shumë cilësorë. Për momentin akoma nuk kemi gjetur një zëvendësues, që të jetë në nivelin e Hysajt ose edhe më i mirë se Hysaj.
Jemi në bisedime me Kurtulan. Është një lojtar që është aktivizuar me të gjithë ekipet e moshave dhe më së fundmi ka qenë me kombëtaren U-21 të Alban Bushit. Por biseda e fundit që ka qenë para ndeshjeve miqësore, nga trajneri dhe nga ne me babain, me Kurtulan vetë personalisht, dhe me menaxherin e tij. Na ka kërkuar sepse ka një problem për çështjen e lojtarëve ekstra komunitarë. Pritet që Kurtulan të ndryshojë skuadër ose të sqarojë skuadrën e tij me klubin ku ndodhet për momentin. Dhe presim dhe shpresojmë shumë, që ta kemi në ndeshjet zyrtare nëse trajneri ynë vendos që ta kemi pjesë të grupit”.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













