Sulmuesi i Vorës, Bardhi: Flamurtari në nivelet e dikurshme trondiste Barcelonën, sot ne kërkojmë maksimumin
Vora sot në Vlorë për fitore. Kjo është beteja e radhës për vorakët, të cilët kanë zhvilluar ndeshje të bukura e të forta, por nuk janë shpërblyer me meritën që ata kanë pasur.
Vora vjen në këtë takim me disa mungesa të domosdoshme për shkak të dëmtimeve si Hasaj e Karrica. Po kështu janë disa lojtarë, që nuk do ta nisin si titullarë duke mos qenë sa duhet në kondicionin e duhur shëndetësor për shkak të vuajtjeve nga dëmtimet, titullarët si Tabaku e Barjamaj, apo edhe Ruzgis e Luis Felipe. Lidhur me takimin që do të luhet në Vlorë, për “Panorama Sport” është shprehur, futbollisti më i vlerësuar tek Vora gjatë 12 ndeshjeve të para, sulmuesi kryeqytetas, 27-vjeçari Patrik Bardhi.
“Është një takim që ne e kemi vlerësuar në të gjithë parametrat e kësaj skuadre dhe kërkojmë që të marrim maksimumin e kësaj ndeshje. Sigurisht që për emrin që mbart kjo skuadër në elitën e futbollit shqiptar, por edhe për ditën që ne po festojmë, ditën e Flamurit gëzon të gjithë respektin e mundshëm nga ana jonë. Vlerësojmë kontributin e tifozëve të zjarrtë që e mbështesin dhe kërkojnë, që kjo skuadër të ngrihet në nivelet e dikurshme kur trondiste Barcelonën. Por këtë radhë i ftoj ata të duartrokasin dhe lojën tonë të bukur që do ta shfaqim në stadiumin “Flamurtari”. Pavarësisht se ekipi ynë do të jetë disi i cunguar ne do të kërkojmë të marrim maksimumin e kësaj ndeshje me një rezultat pozitiv”, tha Bardhi.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













