Merkatoja dhe objektivat, Vllaznia nuk zbulon kartat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2026 | 14:17

Merkatoja dhe objektivat, Vllaznia nuk zbulon kartat

Vllaznia duket se po vijon të njëjtën linjë komunikimi që e karakterizoi gjatë pjesës më të madhe të sezonit të kaluar. Në kampin kuqeblu mbizotëron heshtja, ndërsa drejtuesit, stafi teknik dhe futbollistët vijojnë të mos dalin para mediave për të sqaruar situatën aktuale të skuadrës në prag të sezonit të ri. Një gjë e tillë u vu re edhe në ndeshjen e parë miqësore të verës ndaj Deçiçit.

vllaznia

Pavarësisht interesimit të madh të mediave për të mësuar më shumë rreth gjendjes së ekipit, merkatos apo objektivave të sezonit, asnjë prej anëtarëve të stafit teknik nuk dha një prononcim pas sfidës. Kështu, shumë pikëpyetje vijojnë të mbeten pa përgjigje në ambientin shkodran. Ndër temat më të diskutuara vazhdon të jetë merkatoja. Vllaznia ka zyrtarizuar disa lëvizje, por ende nuk ka një pasqyrë të qartë mbi strategjinë e klubit për ndërtimin e skuadrës.

Po ashtu, largimi i disa futbollistëve titullarë që kanë mbajtur peshë në sezonet e fundit ka ngritur diskutime mes tifozëve, të cilët presin të mësojnë se si do të zëvendësohen këto mungesa. Një tjetër çështje që ngjall interes të madh është aventura europiane. Ndeshja e turit të parë të Conference League po afron, por deri në këto momente mungojnë deklaratat dhe analizat zyrtare nga klubi për kundërshtarin, objektivat apo gjendjen e skuadrës.

Kjo ka bërë që shumë nga informacionet që qarkullojnë të mbeten në nivel spekulimesh. Në këto kushte, tifozët dhe mediat vazhdojnë të jenë në pritje të një komunikimi më të hapur nga klubi. Aktualisht, panorama e Vllaznisë mbetet e pjesshme dhe jo plotësisht e qartë, ndërsa dita e debutimit zyrtar në sezonin e ri po afrohet. Deri atëherë, heshtja duket se mbetet “tradita” që kuqeblutë po e mbajnë gjallë edhe në verën e vitit 2026.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL