Presidenti Duka i hapi rrugë heqjes së Final Four, FSHF ndryshon “mendje” për afatin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte shprehur që në 15 ditët e para të qershorit do të merrej një vendim për të ardhmen e Abissnet Superiore. Më konkretisht është mësuar se do të hiqet Final Four, ndërsa mbetet për t’u konfirmuar se cili format i kampionatit do të përdoret.

FSHF akoma nuk ka njoftuar nëse do të ketë vetëm kampionat të rregullt me 36 javë, apo do të preferohet “play off” pas një pjese të sezonit. Fakt është se data shënon 20 qershor, ndërsa akoma mungon vendimi zyrtar.
ÇFARË DEKLAROI PRESIDENTI DUKA
“Për edicionin e ardhshëm është e pamundur që të ketë një ndryshim në numrin e skuadrave sepse është e palejueshme nga rregulloret e FSHF dhe kompeticioneve në përgjithësi. Për formatet është diçka që duhet të diskutojmë. Faktin që mund të rikthehemi për një vendim tjetër për ‘Final Four’ është se mesa duket tifozeritë e rretheve e kanë të vështirë të udhëtojnë në Tiranë dhe mbështesin skuadrat tyre. Pjesëmarrja në Final Four nuk ka qenë e kënaqshme. Dhe pjesëmarrjen e tifozëve e ka penalizuar mospjesëmarrja e Tiranës dhe Partizanit, që do jepnin më shumë atmosferë në ‘Air Albania’. Për edicionin tjetër do të rishohim çfarë formati do kemi. Këtë e vendosim brenda 15 ditëve të para të qershorit.
Ndryshim? E pamundur, për në edicionin 2026/27 do jenë 10 skuadra. Nëse do ketë katër faza, apo play-off, kemi pajtuar kompani të specializuar që ka bërë formatin e Champions dhe formatin e ardhshëm të ekipeve kombëtare. Do shohim të gjitha versionet dhe do marrim vendim në Komitetin Ekzekutiv”.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT













