Mbi 2000 sportistë, Shqipëria fiton organizimin e “Golden Age Gym Festival 2028”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2026 | 14:45

Mbi 2000 sportistë, Shqipëria fiton organizimin e “Golden Age Gym Festival 2028”

Shqipëria ka fituar të drejtën për të organizuar eventin e rëndësishëm ndërkombëtar të gjimnastikës për të rritur “Golden Age Gym Festival 2028”, i cili do të zhvillohet në Tiranë. Vendimi u mor nga organizmi më i lartë europian i gjimnastikës pas aplikimit të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës (FSHGJ), e cila u përzgjodh mes disa kandidaturave të vendeve europiane. Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme për sportin shqiptar dhe një mundësi të veçantë për promovimin e Shqipërisë edhe në aspektin turistik.

Screenshot 2026-06-20 144449

Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë mbi 2000 sportistë dhe të ftuar nga vende të ndryshme të kontinentit. Në takimin “online” të federatave europiane, Shqipëria u përfaqësua nga drejtuesit më të lartë të FSHGJ-së, KOKSH dhe përfaqësues të institucioneve sportive. Sekretarja e përgjithshme e FSHGJ-së, Elirjana Karaj, e cilësoi këtë vendim si një vlerësim për punën e bërë ndër vite nga Federata Shqiptare e Gjimnastikës.

“Ky besim i dhënë Shqipërisë është rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Organizimi i këtij eventi është një mundësi historike për të promovuar gjimnastikën shqiptare dhe vlerat e vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Karaj. Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e presidentit të FSHGJ-së, Leonard Lulaj, për iniciativën dhe përpjekjet e tij në realizimin e këtij projekti, si dhe bashkëpunimin me institucionet sportive.

FSHGJ, në partneritet me Komitetin Olimpik Shqiptar, Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Sportit dhe strukturat e tjera, do të punojë për realizimin me sukses të këtij eventi të madh europian. “Golden Age Gym Festival 2028” pritet të jetë jo vetëm një festë e sportit të gjimnastikës, por edhe një mundësi për të prezantuar Shqipërinë si një destinacion sportiv dhe turistik në arenën ndërkombëtare.

EDI SPAHIU-PANORAMAPORT.AL