VËZHGIM/ Nga Pohls te Balaj, si rreshtohet Vllaznia e sezonit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2026 | 16:19

VËZHGIM/ Nga Pohls te Balaj, si rreshtohet Vllaznia e sezonit të ri

Teksa Vllaznia vijon përgatitjet për sezonin e ri, gradualisht po bëhen të dukshme edhe ndryshimet që kanë prekur skuadrën krahasuar me edicionin që sapo u mbyll. Në një vëzhgim të bërë nga “Panorama Sport”, është ndërtuar një formacion hipotetik bazuar te futbollistët që aktualisht ndodhen në dispozicion të stafit teknik kuqeblu.

VLLAZNIA

Një skicë e parë e Vllaznisë së sezonit të ardhshëm, e cila natyrisht pritet të pësojë ndryshime të tjera gjatë merkatos së verës. Në portë nuk duket se do të ketë lëvizje të mëdha. Leon Pohls shihet sërish si zgjedhja e parë për katërkëndëshin kuqeblu, me gardianin gjerman që mbetet një nga pikat e referimit të skuadrës. Para tij, reparti defensiv ruan një pjesë të konsiderueshme të bazës së sezonit të kaluar.

Gurishta, Çelikoviç dhe Pusi janë emra që pritet të vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në prapavijë, duke garantuar vazhdimësi në një repart që në shumë momente të kampionatit të kaluar dha siguri. Ndryshimet më të dukshme shfaqen në mesfushë. Nga krahu i djathtë mungon emri i Esat Malës, një prej futbollistëve më të rëndësishëm të viteve të fundit te Vllaznia. Po ashtu, drejt largimit duket edhe Lirim Kastrati, megjithëse kosovari nuk mund të konsiderohej aktualisht titullar për shkak të dëmtimit që e mban larg fushave. Në këto kushte, si alternativë në krahun e djathtë është projektuar afrimi më i fundit, Brajkoviç, i cili pritet të ketë një rol të rëndësishëm në planet e stafit teknik.

Në qendër të mesfushës, dilema më e madhe lidhet me të ardhmen e Ardit Krymit. Kapiteni historik i kuqebluve vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve, por aktualisht largimi i tij duket më i mundshëm sesa qëndrimi. Për këtë arsye, formacioni hipotetik i publikuar vendos në rolin e titullarëve Qaton, Herald Markun dhe Kallakun. Rikthimi i Markut në Shkodër konsiderohet një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës, ndërsa Kallaku mbetet një prej elementëve me më shumë cilësi në repartin e mesfushës. Në krahun e majtë vendoset Patrik Bardhi, një tjetër afrim që pritet të sjellë energji dhe alternativa të reja.

Në repartin ofensiv, momentalisht zgjedhjet nuk janë të shumta. Bekim Balaj mbetet lideri i sulmit kuqeblu dhe, sipas këtij projekcioni, do të formonte një dyshe me talentin e ri Kubazi. Sulmuesi i ri shihet si një nga elementët që mund të fitojë më shumë hapësira gjatë kësaj periudhe, edhe për shkak të mungesës së alternativave të shumta në vijën e parë. Megjithatë, është e qartë se drejtuesit e klubit po punojnë për të afruar të tjerë futbollistë në repartin ofensiv.

Gjithsesi, ky mbetet vetëm një formacion hipotetik i momentit. Merkatoja verore është ende e gjatë dhe Vllaznia pritet të jetë aktive në javët në vijim. Disa çështje të rëndësishme, si e ardhmja e Krymit apo e futbollistëve të tjerë që mund të largohen, mbeten ende të hapura. Për këtë arsye, skuadra që do të zbresë në fushë në ndeshjet zyrtare të sezonit të ri mund të jetë ndryshe nga ajo që shihet sot në letër. Një gjë është e sigurt: kuqeblutë janë ende në proces ndërtimi dhe puna për kompletimin e organikës vazhdon.56

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL