EKSKLUZIVE/ “Bëjmë mirë edhe këtë vit në Europë”, Dita flet për rinovimin e kontratës: Më bind projekti, Dinamon e mban grupi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2026 | 15:13

EKSKLUZIVE/ “Bëjmë mirë edhe këtë vit në Europë”, Dita flet për rinovimin e kontratës: Më bind projekti, Dinamon e mban grupi

Bruno Dita ishte lojtari i parë që pranoi rinovimin e kontratës me Dinamon, duke treguar edhe një herë se jo më kot mban shiritin e kapitenit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori që po luan si mbrojtës me blutë, shprehet se e ka bindur projekti i klubit, teksa u ndal edhe te sezoni i ri dhe Kupat e Europës.

dita

Bruno, si kapiten i skuadrës, ishit ndër të parët që rinovuam kontratën me Dinamon. Çfarë ju bindi të vazhdoni këtë bashkëpunim?

Pa asnjë dyshim, projekti i klubit ishte arsyeja kryesore që më bindi të rinovoja. Dinamo ka treguar në vitet e fundit se ka ambicie të qarta dhe një vizion afatgjatë për të qenë konkurruese në nivelet më të larta. Për mua ishte e rëndësishme të vazhdoja të isha pjesë e këtij projekti, jo vetëm si lojtar, por edhe si kapiten i skuadrës. Besoj te drejtimi që ka marrë klubi dhe te objektivat që janë vendosur për sezonet në vazhdim.

Ndeshjet europiane janë pranë dhe tashmë njihni edhe kundërshtarin. Cili është objektivi i Dinamos në Europë, duke parë forcën e rivalit?

Objektivi ynë si klub është të paraqitemi sa më mirë në arenën europiane dhe të vazhdojmë të përfaqësojmë denjësisht Dinamon dhe futbollin shqiptar. Me pak fat dhe me paraqitje të mira, do të dëshironim të përsërisnim ecurinë e sezonit të kaluar, kur arritëm deri në fazën “play off”. Pse jo, të synojmë edhe fazën e grupeve, megjithëse jemi të vetëdijshëm se është një objektiv shumë i vështirë për t’u arritur. Për momentin, fokusi ynë kryesor është te kundërshtari i radhës, Astana, dhe po përgatitemi maksimalisht për të dalë sa më mirë nga kjo përballje.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL