“Stafi me Agostinelin ka bërë punë të shkëlqyer”. Pollozhani: Flamurtari në elitë, obligim i të gjithëve
Artim Pollozhani është rikonfirmuar tashmë si trajner i Flamurtarit edhe në Superiore. Edhe pse ende mungon një njoftim zyrtar nga klubi, nuk ka dyshime. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut po vijon punën me skuadrën edhe në këto ditë, pavarësisht se me grup të reduktuar.

Trajneri Artim Pollozhani tregon emocionet për arritjen e objektivit, por edhe vështirësitë. Pesë vite mungesë në Superiore i cilëson shumë, por mendon se tashmë është koha që të harrohen. “Pesë vite janë shumë në Kategorinë e Parë, por në këtë moment, ku ne arritëm të kapim Superioren, harrohen të gjitha ato që kanë kaluar. Unë mendoj se Flamurtari kthehet aty ku e ka vendin, si dhe ku i ka hije që të jetë ky klub me traditë. E kam pritur këtë ditë me mjaft emocion. Ju e dini që në ndeshjen e fundit me Vorën ne na duhej vetëm fitorja. Asnjë rezultat tjetër nuk do të ishte në favorin tonë.
Nga ana tjetër, kundërshtari e kishte arritur objektivin. Kemi qenë gjatë gjithë kohës në tension për të arritur atë që ne donim, por fundi ishte jashtëzakonisht i lumtur për ne. Flamurtari kthehet aty ku e ka vendin. Futbollistët arritën që të shpërblenin veten e tyre, pasi bënë një kampionat jashtëzakonisht të mirë. E kishin edhe si obligim që të nderonin klubin, qytetin, presidentin dhe të gjithë me radhë, pikërisht ata që mezi e prisnin këtë vit”, shprehet Pollozhani.
METRITA E NDËRTIMIT TË GRUPIT – Artim Pollozhani tregohet modest kur pyetet për meritën që ai ka në këtë sukses, teksa në nisje të sezonit ishte drejtor i klubit dhe lojtarët i afroi po ai. Trajneri thotë se kontributi është i të gjithëve dhe në veçanti i klubit. “Këtë ekip nuk e kam ndërtuar vetëm unë, pasi ka qenë klubi dhe presidenti Idrizi që më plotësuan çdo kërkesë.
Flamurtari kishte grup jashtëzakonisht të mirë, me futbollistë me eksperiencë dhe që janë edhe teknikisht mirë. Mua më vjen keq që gjërat shkuan ashtu dhe duhet që të vuanim deri në fund. Patjetër që stafi me në krye trajnerin Agostineli kanë bërë një punë të shkëlqyer. Megjithatë, këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Skuadra tashmë e arriti objektivin e vet dhe e kthyem klubin në elitë. Nuk ka më histori”, thotë trajneri.
PËRGJEGJËSIA – Katër “finalet” e fundit me Flamurtarin për Artim Pollozhanin ishin përgjegjësi e madhe, duke ditur që edhe ftesa për t’u rikthyer ishte e papritur. “Ju e dini që ftesa për të ardhur në Vlorë dhe për t’u bërë trajner, për mua ishte e papritur. Kjo erdhi për shkak të situatës që u krijua në Vlorë pas humbjes me Pogradecin. Ishte një përgjegjësi shumë e madhe, pasi ishte një klub që kishte bërë mirë dhe me patjetër duhet që të kthehej ku e ka vendin. Për mua është emocion më vete dhe shumë i madh”, përfundon Pollozhani.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













