Delvina-Butrinti dhe Industriali “i skandaleve”, kur Shqipëria ndizej nga duelet e inferiorëve
UVIL ZAJMI

Në Shqipërinë sportive gjithmonë është folur për sfidat derbi, në veçanti ato të elitës, Partizan-Tirana e Dinamo, dhe shumë pak për përballjet derbi të kategorive inferiore, kryesisht të Kategorisë së Dytë. Me një klientelë skuadrash permanente, që nuk ngjiteshin as binin, ishte ngjarje e madhe për një qytet të vogël kur ngrihej në të Parën dhe e bujshme deri e frikshme rënia për një “Big” në të Dytën.

Me pak komente, informacion në radio e gazetë, pasi për transmetime televizive as që bëhej fjalë, emri i tyre dëgjohej vetëm kur luanin në turet e para të Kupës së Shqipërisë ose kur ndodhte diçka josportive, krijohej zhurmë e kthenin vëmendjen te ky nivel. Rivalizuese në ekstrem, agresive, me ndeshje derbi spektakolare, kanë qenë dhe mbeten përballje unike për atë çfarë prodhonin në fushë dhe jashtë saj.
Por, si jetohej pragndeshja nga lojtarët, drejtuesit, tifozët dhe cili ishte mentaliteti që mbizotëronte? “Hakmarrje” dhe “inate” të ruajtura, një tjetër botë, ndaj së cilës sa larg dhe afër kemi qenë. Në veçanti Butrinti-Bistrica, skuadra që vareshin nga një klub, me përplasje jashtë imagjinatës. Tifozllëk, arbitra nën trysni, ndeshje, rezultate që nxiteshin dhe vendoseshin edhe nga Komitetet Ekzekutive të Partive.

Një kategori dhe klube me histori modeste, nga ku kanë dalë futbollistë cilësorë, që kanë luajtur me Partizanin e Dinamon kryesisht. Kush nuk beson, mjafton të kujtojë protagonistët e Kombëtares, si Targaj e Strakosha. Pas viteve ’90, historia e klubeve që luajtën në nivelet inferiore ndryshoi drastikisht, pasi u përfshinë Partizani, Dinamo, Tirana dhe sot Vllaznia, (përjashto Flamurtarin). Por, kemi edhe rastin kur Erseka u ndesh në “Qemal Stafa” me Realin e Kristano Ronaldos…
Derbi i “Vjosës”, Përmeti-Këlcyra-Tepelena “nuk kanë paqe…”
Përmeti si kryeqendra, Leskoviku, Këlcyra, Memaliaj, Tepelena, Progonati, qytete që lagen apo janë përbri lumit Vjosë. Në përgjithësi kanë qenë në ekuilibër, “as miqësi e madhe, por edhe jo armiqësi”. Kanë pasur marrëdhënie të vendosura nga ish-Komitetet e Partive. Përjashto përballjet e nxehta Trebeshina (Këlcyra)-24 Maji (Përmeti)-Minatori (Tepelenë), ku secili pretendon se është i “pari” i krahinës dhe ka pas shkruar historinë. Ka ndodhur që në situata tensioni lojtarët të mos zhvishen në dhomat e zhveshjes, por në autobus. Për shumë dekada Minatori ishte bashkim Tepelenë-Memaliaj dhe ndeshjet luheshin në Memaliaj se kishte fushë, më pas në Tepelenë. Kjo ndodhi deri kur u ndanë, pas së cilës ajo midis tyre ka qenë ndeshje zjarri.
Në këtë zonë komandon Luftëtari, nga emri, tradita, të gjithë kanë ruajtur raporte të mira, por e kanë respektuar “prepotencën” dhe autoritetin e qytetit me kala, ndonëse edhe Tepelena e ka një të tillë. Kanë shkëmbyer futbollistë, trajnerë dhe ndaj Luftëtarit nuk ka pasur sherre e grindje. Ndeshjet zhvilloheshin në terrene e fusha sportive, me kushte jo të përshtatshme. Vështirësi në drejtimin e tyre kanë pasur arbitrat, në mjaft raste ka pasur edhe dhunë fizike mbi ta. Bashkë me Luftëtarin, edhe “24 Maji” i Përmetit ka luajtur në Kategorinë e Parë, por si hyri, ashtu edhe doli, pa lënë asnjë gjurmë. Nga këto klube modeste kanë dalë kolosë si kapiteni Targaj, portieri F. Strakosha.
Derbi jonian: gra, një i plotfuqishëm dhe fyerje në greqisht
Është dueli i qyteteve që lagen nga ujërat joniane me “Vetëtimën” Himarë, “Butrintin” Sarandë, “Bistricën” e Delvinës, “21 Shtatorin” e Selenicës dhe Nartën. Kjo zonë është komanduar me prepotencë nga Flamurtari dhe të tjerat kanë qenë nën çadrën vlonjate, e cila si “padrone” i ka furnizuar me lojtarë, por u ka marrë edhe ndonjë talent. Ligjin e bënin vendësit, ku nuk mungonin takimet e mbyllura përmes dhunës e polemikave. Udhëtime të vështira për skuadra e arbitra në rrugët e asaj kohe, sidomos për në Himarë.
“Vetëtima”, emri i skuadrës, që i referohet malit që shkarkohen rrufetë mbi fshat, ka një histori specifike, me rrëfime, gojëdhëna si legjenda, me emra, protagonistë e heronj mitikë, deri në shpellën që, sipas vendësve, është ndaluar Odisea. Me gra të pranishme në fushën sportive dhe Simo Kallushin që e mbante gjallë atë. Ishte edhe një polic që quhej Luftëtar dhe ishte i plotfuqishmi i shtatë fshatrave, që para ndeshjeve u trokiste arbitrave në dhomën e zhveshjes, duke u thënë: “Vetëm unë jam sot këtu…”. Për të vendosur rendin mobilizoheshin apo vinin në ndihmë ushtarët e Porto Palermos.

Shpesh fyerjet, komunikimi, midis lojtarëve dhe me tifozërinë shprehej në greqisht. Ndonëse arbitrat e zonës nuk gjykonin këto skuadra, përjashtim bënte sarandjoti Kasem Kasemi, që njihej edhe si “gomonia”… Ai mbahet mend sepse sa herë “Vetëtima” ishte më rrezik rënieje, do të ishte ai arbitër dhe nga 0-2 për udhëtuesit, e kthente rezultatin në 3-2 për vendësit. Madje, duke e përsëritur disa herë penalltinë, derisa vendësit të shënonin.
Derbi i Shkumbinit, komandon Labinoti
Luajnë qytete që lagen nga ky lum, “Sopoti” i Librazhdit, “Labinoti” i Elbasanit, “Shkumbini” i Peqinit, “Egnatia” e Rrogozhinës, duke përfshirë edhe “10 Korrikun” e Gramshit, që plotëson grupin. Labinoti mbetet më i famshmi, madje edhe kampion i vendit, duke diktuar pa diskutim derbin e zonës ku Sopoti, Shkumbini, Turbina, 31 Korriku, Egnatia për shumë sezone kanë luajtur në Kategoritë e ulëta, të Dytë apo të Tretë. Aty edhe janë ndeshur dhjetëra herë midis tyre. Në përgjithësi nuk janë shquar për takime të tensionuara.
Niveli më i lartë në Kategorinë e Parë apo Superiore mbetet derbi Labinoti(Elbasani)-Shkumbini, gjithmonë në kufijtë marrëdhënieve normale. Madje, shumë futbollistë elbasanas kanë veshur fanellën e Shkumbinit dhe anasjelltas. Po kështu, edhe midis ekipeve të tjera është ruajtur një ekuilibër sportiv, tradita dhe ka pasur shkëmbime me lojtarë e trajnerë. Elbasani, Shkumbini, prej kohësh kanë braktisur elitën, kanë vite luajnë në kategorinë inferiore dhe bashkë me fqinjët bëjnë grupin e derbit lumor.
Osumi dhe Tomori përballë
Përfaqësohet nga “Tomori” i Beratit, “5 Shtatori” i Çorovodës (Skrapari), “22 Tetori” i Poliçanit dhe bashkë me to edhe “Naftëtari” i Kuçovës. Këto qytete ndodhen vetëm pak kilometra larg ndërmjet tyre në krah ose pranë rrjedhës së lumit, e që janë ndeshur në të gjitha nivelet. Të gjitha në varësi të Komitetit Ekzekutiv, Bashkisë së Beratit. Derbi i Osumit ka si kulm sfidën Tomori-Naftëtari, sidomos në fund të viteve ’70, kur dy skuadrat ishin në kulmet e historisë së tyre, protagoniste në Kategorinë e Parë. Rivalitet, ndeshje të vështira, shpesh të tensionuara, sidomos kur luhej në Kuçovë.
Ato ndiqeshin nga shumë spektatorë, me lojtarë të njohur si Kovaçi, Koçi, Zguro, etj. Janë qytete me afërsi 16 km që e jetojnë edhe sot ditë pas dite derbin para dhe pas tij. Raporte sportive sa miqësore, por edhe të ashpra. Kanë bërë pak shkëmbime lojtarësh dhe ishte Tomori i Guxim Muklit ai që e ka komanduar në tërësi zonën. Më pak tension ka pasur në derbin Poliçani-Skrapar, pasi pretendimet, interesi ishte i pakët dhe më shumë kanë shërbyer si satelit për Tomorin e Naftëtarin, klube që lojtarët e paaktivizuar i dërgonin te këto dy skuadra ose anasjelltas, kur evidentohej ndonjë talent. Pas 1990-ës, derbi osumian humbi gjurmë dhe sot skuadrat e lumit të famshëm i bashkon Kategoria e Parë, ku luajnë prej vitesh.
Derbi i Myzeqesë, i rivalizuar nga Traktori-Apolonia
Tejet historik, i ndezur dhe kurrë miqësor. I tillë ka qenë dhe mbetet dueli Apolonia-Traktori. Po, sepse përballja myzeqare, si në Kategorinë e Parë edhe në të Dytën, ka ofruar gjithnjë spektakël dhe tension. Një distancë jo më shumë 30 km ndan qytetet, por rivaliteti ka qenë në kulm, sidomos kur ishin në elitën e futbollit shqiptar, me Majacin dhe Banon, rreth viteve ’90.
Tifozëri të ndezura, rezultate surprizë, tension deri në sekondën e fundit, asnjëherë paqe, ndeshje të vështira, me ashpërsi, shpesh problematike për forcat e rendit. Aty pranë luhet edhe derbi i naftës: punëtori i Patosit të trajnerit legjendar F. Dogani dhe Bylis i Ballshit. Ky i fundit ka qenë pa emër e famë në të kaluarën, por protagonist vitet më vonë, si edhe me pjesëmarrje europiane. Ndeshjet midis tyre kanë qenë një miniderbi, me rivalitet, por jo agresivitet.
Skënderbeu “ujku i dëborës” dhe Erseka përballë Realit e Ronaldos
Korça me ekipet satelit që e rrethojnë, si Devolli (Bilishti), Gramozi (Ersekë), 8 Nëntori (Maliq), në disa sezone edhe Trebeshina (Këlcyra), bashkë me Domosdovën e Përrenjasit, si dhe Yllin e Kuq të Pogradecit. Të gjitha shpesh i përfshinin në derbin e “dëborës”. Nuk ka histori, pasi është komanduar vetëm nga Skënderbeu dhe të tjerat në hijen e tij. Korçarët i kanë furnizuar me lojtarë dhe trajnerë klubet vartëse, duke krijuar e mbajtur raporte miqësore më to, sigurisht duke i marrë e promovuar talentet e tyre. Pa grindje dhe tension gjatë ndeshjeve, përkundrazi.
Vetëm në raste sporadike midis tyre, por asnjëherë me klubin mëmë. Kategorinë e Dytë e kanë frekuentuar të gjitha, por Skënderbeu dhe Ylli i Kuq kanë luajtur edhe në të Parën. Por, një faqe të vogël të historisë e ka shkruar edhe Gramozi i Ersekës, kur vite me parë si asnjë klub tjetër në të kaluarën luajti miqësoren e luksit në Tiranë ndaj Realit të Madridit me Kristiano Ronaldon në formacion. Një ndeshje që kujtohet për të ftohtin dhe ndërprerjen e gjatë të energjisë elektrike në “Qemal Stafa”.
Derbi “danubian” i Shkodrës, që nuk kishte rivalë
Me Vllazninë, (përjashto sezonin 1961), nuk ka pasur derbi të mirëfilltë e tradicional shkodran. Vllaznia ka qenë dominuese dhe ka mbretëruar pa rivalë në zonën e “Danubit shkodran”, siç është Buna. Në periferinë e qytetit janë Veleçiku, Velipoja (pas viteve ’90), por asnjëherë përballë me Vllazninë në një derbi të elitës. Është konsideruar i tillë dikur takimi Vllaznia me Fitoren apo Besëlidhjen e Lezhës. Vllaznia i ka furnizuar gjithmonë me lojtarë e trajnerë këto skuadra “vasale”.
Por, sot, historia ka ndryshuar dhe Vllaznia, Veleçiku i Koplikut, Ada e Velipojës, Besëlidhja deri te Shënkolli, të mbetura jashtë Superiores, luajnë në Kategorinë e Parë, me takimet derbi midis tyre. Ndërkohë, linja Rubik, Rrëshen, Klos, Burrel, Bulqizë dhe Peshkopi është një tjetër zonë derbi, qytete që i lidh rruga automobilistike apo lumi Mat. Korabi ka arritur deri në Kategorinë e Parë në vitet ’60, pastaj ishte 31 Korriku i Dali Farukut, formacioni që bëri historinë. Rivalitet që ka prodhuar “shkëndija” ka qenë 31 Korriku-Besëlidhja, kur luanin në të Parën.
Derbi i Krujës, “xixa” Kastrioti-Industrial
Një derbi i zonës që përfshin Kastriotin, Industrialin e Laçit, Ilirinë, Adriatikun e Mamurrasit, deri edhe Milotin… Qytete pranë njëri-tjetrit, me referim Fushë-Krujën ku kalojnë të gjithë. Dy klube kanë qenë dhe mbeten protagonistë: Kastrioti-Industrial, ndeshje të vështira, me tension, si në të Dytën kur luhej në fushat e vjetra, por edhe në kohën e artë të tyre me A. Ujkën dhe S. Micin në Kategorinë e Parë.
“Industrial, Industrial, o fitore, o skandal”, ishte shprehja kërcënuese e tifozërisë kurbinase. Ndërsa sfidat midis Përparimit të Kukësit, Tërbunit të Pukës, Valbonës së Tropojës, në ndonjë rast edhe ato me Korabin, i ka shoqëruar “vetmia”, luheshin në fusha të vjetra e të rënduara, pa pretendime, pasi ishin të sigurta në renditje, (disa shkëndija në Përparimi-Korabi). Sot, Kukësi i afirmuar bën ligjin në Superiore.
Derbi i kryeqytetit si Londra sot dhe sfidat e periferisë
Kampionati i vitit 1955 në Kategorinë e Parë, marrin pjesë 16 skuadra dhe Tirana si qytet do të ketë gjashtë formacione, pikërisht si Londra sot: Partizani, Dinamo, Puna, Skuadra e Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha” (më pas “Luftëtari”), Spartaku dhe “KT Stalin”. Edhe në sezonin 1971-’72, janë 5 klube në Kategorinë e Parë, krahas Partizanit, Dinamos, 17 Nëntorit, janë edhe “Tekstilisti” (KT Stalin), e dy ekipet studentore “Shkëndija” e “Studenti”. Ndërkohë, është luajtur edhe derbi i periferisë tiranase, me Tekstilistin, Dajtin, Studentin e Shkëndinë, kryesisht në të Dytën, klube që kanë fushat e tyre, takime janë të acaruara, pasi te këto skuadra aktivizohen futbollistë cilësorë që nuk kanë hapësirë tek ato “Big”.
Madje, Dajti, në sezonin 1972-’73, fitoi të drejtën të luajë në të Parën, por me një vendim absurd shtetar iu hoq pjesëmarrja. Takime derbi janë luajtur në vite edhe në të Tretën, me qytete të ndara në tri grupe, me terrene jashtë çdo kontrolli, sfida të ashpra e me probleme. Për të shmangur grindjet, për to është aplikuar edhe formula me sistem grumbullimi në qytete kryesore, ku mund të administroheshin. Ndeshje derbi janë zhvilluar edhe midis ekipeve Shpresa të Kategorisë së Parë, por edhe ndërmjet Rezervave, që kishin kampionatin zyrtar të tyre, i njohur si KK i Rezervave.
SHËNIM: Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.













