Spaho “thumbon” me stil trajnerin Bicaj: Ndryshimi në pankinë ndikoi te rënia e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2025 | 14:02

Spaho “thumbon” me stil trajnerin Bicaj: Ndryshimi në pankinë ndikoi te rënia e Lushnjës

Edhe pse pjesa e parë e sezonit ka përfunduar, lushnjarët vijojnë të jenë në fushën e stërvitjes, duke zhvilluar seanca pa ngarkesë fizike. Skuadra pritet të marrë pushimet vetëm për periudhën e ndërrimit të viteve, ndërsa stafi teknik synon ta mbajë ekipin në ritëm dhe larg shkëputjes nga puna.mikel spahoPjesa e parë e kampionatit nuk rezultoi pozitive për verdhejeshilët, të cilët e mbyllën në vendin e 10-të, ose ndryshe në zonën e “play-out”-it. Një pozicionim që nuk përputhet me pritshmëritë dhe objektivat e klubit. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, ish-kapiteni dhe ish-portieri i njohur i Lushnjës, Mikel Spaho, i cili aktualisht është trajneri i portierëve të ekipit, analizoi ecurinë e deritanishme dhe problematikat kryesore. “Deri në javën e gjashtë të kampionatit, kur u regjistruan pesë barazime radhazi dhe më pas erdhi fitorja e parë ndaj Kastriotit, ecuria nuk ishte shumë e mirë, por deri diku e pranueshme. Ekipi kishte një tregues pozitiv, sepse nuk e kishte njohur humbjen. Ndryshimi në pankinë tregoi se është shumë e vështirë që lojtarët t’i përshtaten menjëherë një trajneri të ri. Trajneri i parë kishte një tjetër filozofi loje dhe ai që e pasoi një qasje ndryshe, gjë që ndikoi në mungesën e vazhdimësisë”, u shpreh Spaho.

Sipas tij, një tjetër problem lidhet me mënyrën e lojës dhe identitetin e skuadrës. “Duke parë kontingjentin që ka Lushnja, ekipi është mësuar të luajë me topin në tokë dhe me qarkullim të shpejtë, jo me topa të lartë. Kur nuk jemi aty ku duhet në renditje, do të thotë se kemi çaluar në raport me portën kundërshtare, duke krijuar vetëm raste sporadike. Vërehet një rënie edhe në cilësinë e pasimeve dhe në qarkullimin e topit”, shtoi ai. Spaho theksoi se për këtë arsye është e domosdoshme që ekipi të vijojë punën në fushën e stërvitjes. “Ne nuk e kemi luksin të mendojmë për pushime të gjata. Po zhvillojmë seanca pa ngarkesë, në mënyrë që muskulatura të qëndrojë në gjendje pune dhe ekipi të mos humbasë ritmin”, tha ai. Sa i përket merkatos së janarit, ish-portieri lushnjar u shpreh realist.

“Në merkaton e janarit është e vështirë të gjesh lojtarë vërtet cilësorë. Megjithatë, nëse do të afrohet ndonjë lojtar në rolet ku kemi realisht nevojë, kjo do të ishte shumë e rëndësishme për ne. Çdo përforcim i duhur mund të ndihmojë në mbarëvajtjen e kampionatit dhe në përmirësimin e ecurisë”, përfundoi Spaho. Në mbyllje, ai shprehu besimin se Lushnja do t’i largohet zonës së fundit të renditjes. “Lushnja nuk e meriton këtë pozicion, në raport me kontingjentin që ka. Ka ende mundësi reale për të përmirësuar situatën dhe për të dalë nga zona e rrezikut”, theksoi trajneri i portierëve të verdhejeshilëve.

12 javë e drejtoi Lushnjën trajneri Ditmar Bicaj, duke grumbulluar 11 pikë, me 3 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje. Bilanc që nuk i përmbushi pritshmëritë e klubit dhe për këtë arsye erdhi edhe ndërprerja e bashkëpunimit.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL