SOT, ORA 20:45/ Vllaznia me më të mirët, Martini ka dy dilema për formacionin në Islandë
Trajneri Edi Martini duket se ka vënë pika mbi “i” përsa i përket formacionit që do të zbresë në fushën e lojës ndaj Vikingur ditën e enjte. Shkodranët do të luajnë takimin e kthimit në kuadër të turit të dytë të Conference League në Islandë. Ku pas fitores 2-1 të duelit të parë në Shkodër, kuqeblutë do të kërkojnë të ruajnë avantazhin.

Dhe nisur pikërisht nga ky fakt, duket se do të ketë ndryshime në formacion krahasur me 90 minutat e para të zhvilluara në “Loro Boriçi”. Kështu, deri në momentet e fundit duket se ka një balotazh të hapur për portën. Leon Pohls, që pas ardhjes së tij te Vllaznia, duket se ka fituar hierarki për katërkëndorin e kuqebluve. Megjithatë edhe Jukaj ngelet një potencial serioz për ta nisur nga minuta e parë pas performancës pozitive të duelit të parë.
Diçka që pritet të vendoset vetëm në momentet e fundit para nisjes së takimit. Në mbrojtje do të rikthehet si titullar Melos Bajrami, me trajnerin Martini që kërkon shtatlartësi në prapavijë. Dhe ish-futbollisti i Gjilanit e garanton diçka të tillë, ku së bashku me Gjinin dhe Kuros pritet të formojnë treshen e mbrojtjes. Nga e djathta do të rikthehet të luajë Gurishta, i cili nga ai pozicion “sposton” Krujën, që pritet ta nisë nga stoli. E ndërsa në të majtë tashmë në të “paprekshëm” për Vllazninë duket se është shndërruar Jago.
Pavarësisht kthimit nga dëmtimi të Qatos, 28- vjeçari duket se ende nuk është në 100% të formës dhe pritet ta nisë nga stoli duelin me Vikingurin. Në mesfushë, krahas Krymit dhe Malës, pritet të jetë edhe njëri mes Salës dhe Tafilit, me të parin disi më të avantazhuar ndaj 20-vjeçarit. Sulmi për Martinin, nga ana tjetër, ngelet i pandryshuar në krahasim me ndeshjen e parë, ku dyshja Balaj-Bismark do të udhëheqin ofensivën dhe manovrën e kuqebluve.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













