SOT, ORA 18:00/ Partizani sfidon Dinamon, Bytyçi shton forcat në mbrojtje
Partizani po shkon drejt mbylljes së fazës përgatitore në Ohër. Sot, në orën 18:00, të kuqtë do të matin forcat me Dinamon e Ilir Dajës.
Sfida miqësore do të luhet pikërisht në Ohër. Skuadra e Gegës mbylli kampionatin përballë bluve, ku dhe fitoi 2 me 1 për t’u renditur e treta. Tashmë është koha për një test miqësor, që në këtë periudhë i shërben më tepër Partizanit. “Demat” janë më pak se dy javë larg përballjes me Kaljun në turin e parë të Ligës së Konferencës. Në anën tjetër, Dinamo e nis nga raundi i dytë kualifikues. Për të dyja skuadrat, mbizotëron atmosferë pozitive. Partizani fitoi 3 me 0 ndaj Rabotniçkit, ndërsa blutë mposhtën 4 me 1 Ballkanin.
ALTIN BYTYÇI– Lajmi më i mirë për Partizanin në këtë periudhë është rikthimi i Altin Bytyçit. “Panorama Sport” mëson se tashmë mbrojtësi po vazhdon përgatitjet me pjesën tjetër të grupit. Bytyçi u dëmtua në fillimin e fazës përgatitore të Ohrit. Asgjë nuk rezultoi serioze dhe Bytyçi mund të llogaritet si opsion për Europën. 24-vjeçari aktivizohet në qendrën e mbrojtjes, ndërsa në sezonin e fundit sakrifikoi edhe në linjën e djathtë.
DËMTIMET- Tre lojtarë vazhdojnë të dëmtuar te Partizani. Andi Janjeva dhe Redon Ismaili e humbën fazën përgatitore në Ohër. Në anën tjetër, Herolind Shala u dëmtua gjatë saj, ndërsa mbetet për t’u parë për sa kohë do të qëndrojë jashtë fushës së blertë.
HERA E FUNDIT- Skënder Gega aktivizoi 22 lojtarë në miqësoren me Rabotniçkin. Katër ditë më parë ra në sy aktivizimi i Mehmetit në qendrën e mbrojtjes. Sembene si mesfushor ndërkohë është preferuar edhe më parë, ndërsa po rezulton si bast i fituar i trajnerit Gega. Garsia shënoi për herë të parë gol me fanellën e “demave”, edhe pse në takim miqësor. Skuka po ashtu gjeti rrjetën për herë të parë nën drejtimin e Gegës. Isgandarli dhe Martinez dhanë sinjalet e para si të kuq. Interesant ishte aktivizimi i Tedi Malajt nga minuta e parë. 17-vjeçari u aktivizua në mesfushë dhe po spikat me ritmin e tij gjatë kësaj kohe. Pas debutimit të suksesshëm me gol dhe asist në “Final Four”, besimi është i madh te Malaj.
NDAJ BLUVE- Dhe kundër Dinamos, Skënder Gega pritet t’u japë minuta të gjithë lojtarëve që ka në dispozicion. Nuk përjashtohet mundësia për të pasur ndryshime në formacionin titullar nga sfida me Rabotniçkin. Të kuqtë ndodhen në Ohër nga data 16 qershor. Testi i fundit i programuar jashtë Shqipërisë është me Dinamon. Gjithçka duhet të niste ndaj Ballkanit në javën e kaluar, por ndeshja u anulua për shkak të kushteve atmosferike në Ohër. Moti sot ndërkohë është i përshtatshëm për të luajtur kundër Dinamos. Të kuqtë, ndryshe nga blutë, do të kthehen në Tiranë javën e ardhshme. Përgatitjet e fundit për Europën do të zhvendosen në kompleksin e Partizanit.
PANORAMASPORT.AL













